“Vepra në letër” të punuara me laps, pastel, vaj, akuarel a miks, 53 krijime të piktorit Guri Madhi, u ekspozuan mbrëmjen e sotme në Galerinë e Artit Tiranë, disa prej tyre të pazbuluara më herët. Portrete, momente nga Lufta, peizazhe( të fshatit, nga Kosova etj.), çaste nga përditshmëria, ku nuk mungojnë as nudot (kryesisht nudo burri) të realizuara gjatë viteve ‘50 të periudhës akademike, apo abstraksionet e një dekade më vonë.
Mes tyre bie në sy një pikturë e vitit ‘67 e realizuar në vaj mbi letër, që bie ndesh me rrymën e socrealizmit që lejohej gjatë sistemit komunist.. Për kohën e diktaturës, këto, do të ishin vepra të ndaluara, por artisti, siç rrëfen i biri, Pandi, i ka fshehur në shtëpinë e tij. 3 dekada e gjysmë post mortum të Guri Madhit, një prej artistëve më me peshë të historikut të artit pamor vendas, veprat i shpalosen publikut, duke dëshmuar përmes artit, fillimet e krijimtarisë së tij artistike, periudhën akademike e portretet familjare të cilat nuk reshti ti hedhë në letër deri në ‘87-ën, një vit para ndarjes nga jeta.
Ndër portretet familjare dominon figura e bashkëshortes, Fillaretit. Veprat e ekspozuara përfshijnë mbi një gjysmë shekulli krijimtari të artistit e janë pjesë e koleksionit të familjes.