Ekspozohet epigrafi i rrallë ku përmendet për herë të parë Shkodra! Historiani: Jep të dhëna të sakta për historinë e urbanizmit të qytetit

19 Dhjetor 2022, 17:00| Përditesimi: 19 Dhjetor 2022, 17:05

  • Share

“Birit të Caluisit, që kreu shërbimin ushtarak duke patur funksionet e optio primilipilarioum, me tituj vir, patriot, këshilli i madhërishëm qytetit koloni të shkodraneve, vendosi këtë monument.” Kopja e një epigrafi të rrallë, me shkrim latin që daton në shekullin e III-të pas Krishtit është ekspozuar në muzeun e Kalasë Rozafa. Historiani Helidon Sokoli shpjegon për Report TV se në këtë dedikim përmendet për herë të parë emri i qytetit “colonia Scodranorum”.

“Në rreshtat e këtij mbishkrimi paraqitet një dedikim i qytetarëve të Shkodrës për një ushtarak, personalitet i qytetit në këtë periudhë, pra në shekullin e III-të pas Krishtit. Janë shënuar titujt e udhëheqësit të lartë, që mendohet se ka drejtuar regjionet romake jo vetëm në Mesdhe por deri në Azi. Jep të dhëna të sakta për historinë e urbanizmit të Shkodrës dhe zhvillimeve administrative-ushtarake”, shprehet Sokoli.

Epigrafi është zbuluar në sterën mesjetare të kalasë, në vitin 2011 nga misioni arkeologjik shqiptaro-polak.

“Është një ndër objektet më të rëndësishme të zbuluara gjatë projektit ‘Shkodra’ të misionit shqiptaro-polak të drejtuar nga profesor Saimir Shpuza”.

Mbishkrimi origjinal sot e kësaj dite ndodhet në muret e sterës së kalasë, në 5 metra thellësi. Për shkak se është i pavizitueshëm nga publiku, restauratorët kanë bërë të mundur riprodhimin dhe vendosjen e tij në muze.  Mënyrën se si është realizuar kopja e epigrafit, na e tregon specialisti i monumenteve Petrit Bilali.

“Puna kaloi në disa etapa, nis nga pastrimi i sterës nga uji. Pastaj bëmë tharjen e objektit, nxjerrjen e kallëpit nga origjinali, bëmë një përzierje sipas kritereve të restaurimit dhe nga negativi nxorëm pozitivin. Etapa e fundit ishte vendosja në muzeun e kalasë”, thotë Petrit Bilali, specialist i DRTK Shkodër.

Misioni Shqiptaro-Polak, gjatë viteve 2011-2017 hulumtoi në gjurmët e Shkodrës antike, duke nxjerrë në dritë zbulime dhe artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e tij, sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët e tij.

“Gjetja e këtij mbishkrimi dhe konservimi është dëshmi për qytetin sepse jep të dhëna të rëndësishme për periudhën e romanizimit të qytetit”, përfundon Sokoli.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?