Leonard Mnella, i ekstraduar në Shqipëri vitin e kaluar pasi u lokalizua në SHBA, është ekstraduar sot në Itali.
Gazetari i Report Tv, Sokol Dema, raporton se shqiptari me 3 identitete dhe që kishte arritur të falsifikonte vdekjen e tij që në vitin 2003, u ekstradua sot në shtetin italian për t’u përballur me drejtësinë aty.
Në Itali, Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, është dënuar me 25 vite burg për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.
Ai që ka qenë në arrati për vite të tëra. Ndërsa në vitin 2013, kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të leshuar nga një gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine.
Arrestimi i tij i parë u bë i mundur në Miçigan të SHBA-së në vitin 2024 nëpërmjet një bashkëpunimi mes departamentit të policisë kriminale shqiptare në bashkëpunim me 2 agjenci amerikane.
Për çfarë akuzohet në Itali?
Leonard Mnella është dënuar në mungesë në Itali për rrëmbim, trafik droge, zhvatje, armëmbajtje pa leje, etj. Ai ka qenë kreu i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës midis Amerikës Latine, Italisë dhe Shqipërisë.
Gjithashtu ka bashkëpunuar me një organizatë tjetër për trafikun e heroinës në provicën e Salernos në fund të viteve ’90 dhe fillim të vitit 2000.
Mnella akuzohet edhe për një rrëmbim në vitete 1990 në Piemonte të Italisë.
Më pas, shqiptari me 3 identitete humbi gjurmët dhe u zhduk, duke falsifikuar edhe vdekjen e tij. Pas më shumë se 20 vitesh u gjet në SHBA, prej nga u dëbua në vendin tonë dhe u arrestua përkohësisht, me qëllim ekstradimin në Itali.
Komente
