Ekuador-Autoritetet në Ekuador gjetën 6.23 ton kokainë të fshehur në një ngarkesë me banane.
Qentë nuhatën prezencën e lëndës narkotike, duke sinjalizuar policinë që të kryente kontroll. Si pasojë e kontrollit të ushtruar u sekuestruan 5630 pako të mbushura me një substancë të bardhë që më vonë rezultoi pozitive për kokainë, shkruan BBC.
Dërgesa ishte e destinuar për në Gjermani dhe vlerësohet në shifrën 224 milion dollarë (173 milion £) nëse do të arrinte destinacionin e saj.
Pesë persona u arrestuan, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm.
Policia tha se kishte gjetur sasinë masive të kokainës gjatë një inspektimi rutinë të kontejnerit të ruajtur në portin Posorja në jug-perëndim të qytetit më të madh të Ekuadorit, Guayaquil.
Pakot e kokainës ishin fshehur nën arka me banane të destinuara për eksport.
Një nga të arrestuarit ishte një përfaqësues i kompanisë së eksportit përgjegjës për dërgesën, për të cilin prokurorët thanë se kishte qenë i pranishëm në inspektim dhe u dhanë zyrtarëve emrat e katër të dyshuarve të tjerë.
Mes tyre janë drejtuesit e plantacionit të bananeve ku dyshohet se kokaina i është shtuar ngarkesës së frutave, si dhe shoferi që çoi kontejnerin në port.
Ekuadori është bërë një vend kryesor tranziti për kokainën e prodhuar në Perunë dhe Kolumbinë fqinje, me bandat kriminale transnacionale që përdorin portet e Ekuadorit për të transportuar drogën në Evropë dhe SHBA.
Vitin e kaluar, forcat e sigurisë ekuadoriane kapën më shumë se 200 ton drogë, shumica e të cilave ishte kokainë.