Kronikë

Ekzekutimi i 57-vjeçarit në Lezhë/ Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori! Policia shoqëron 10 persona të dyshuar për ngjarjen

2 Qershor, 10:23| Përditesimi: 2 Qershor, 13:23

  • Share

Lezhë- Ngjarja e një dite më parë në fshatin Tale të Lezhës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 57-vjeçari Pjetër Kaza, për hetuesit lidhet me dyshime të forta se ajo lidhet me gjakmarrjen, ndërsa si autor i dyshuar është identifikuar shtetasi me inicialet G.A., i cili është shpallur në kërkim.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, autori dyshohet se kishte ndjekur me kujdes lëvizjet e viktimës dhe e kishte pritur pranë banesës së tij. Sapo Kaza kishte arritur në oborr dhe po i afrohej derës së shtëpisë, është qëlluar me armë automatike dhe ka ndërruar jetë në vend.

Përgjatë 24 orëve, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona lidhur me këtë ngjarje, ku ka arritur dhe zbardhjen e saj ditën e sotme.

Në vendin e krimit janë gjetur prova të rëndësishme, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë kanë regjistruar lëvizjet e personit të dyshuar në kohën që përkon me ekzekutimin. Kjo ka përforcuar dyshimet ndaj G.A., ndërkohë që deklaratat e marra nga të afërmit e tij nuk kanë arritur të provojë një alibi të besueshme për momentin e ngjarjes. Sipas burimeve dyshohet se për vrasjen e tij është përdorur një armë me silenciator, pasi dëshmitarët në zonë nuk kanë dëgjuar të shtëna armësh në momentin e krimit.

Megjithëse ende nuk është konfirmuar lidhja e drejtpërdrejtë e autorit me ndonjë fis të përfshirë më herët në konflikte me viktimën, burime të policisë lokale theksojnë se të gjitha të dhënat çojnë drejt një hakmarrjeje për gjak.

Ndërkohë, strukturat e Policisë së Lezhës dhe ato qendrore janë angazhuar në operacionin për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të vërtetuar motivet pas këtij krimi të rëndë.

Njoftimi i policisë 

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e autorësisë së vrasjes së 57-vjecarit, në fshatin Tale.  

Si rezultat i hetimeve intensive, provave të mbledhura në vendin e ngjarjes dhe bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, grupi hetimor ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 1 shtetas të dyshuar si autor të vrasjes së 57-vjeçarit.     

Nga hetimi intensiv dyshohet se shtetasi G. A. (për shkak të hetimeve nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera) ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit P. K., në momentin që ai kishte zbritur nga makina për të hapur portën e banesës, për të hyrë në banesë. Si pasojë e dëmtimeve, 57-vjeçari  P. K. ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.    

Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë  ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.   

Ndërkohë, shërbimet policore vijojnë kontrollet në terren, për kapjen e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim për këtë rast.

 

Xh.K/H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Eri: 02/06/2025 12:16

    Nese autori dhe urdherdhenesi nuk denohen me burgim te perjetshem, saga e vrasjeve do vazhdoje me shekuj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?