Objektivi i atentatorëve, në ekzekutimin e dyfishtë në Elbasan, ku viktima mbetën Ardian Çollaku dhe Lulzim Bitri, objektivi i ekzekutimit ishte ky i fundit. Në këtë përfundim ka dalë grupi hetimor i ngritur për ngjarjen e rëndë, të cilët kanë zbritur sërish në terren ditën e sotme. Po ashtu bëhet me dije se në atentat morën pjesë më shumë se 3 persona, megjithatë ende nuk ka emra të dyshuar.
Mbrëmjen e djeshme Policia e Elbasanit zhvilloi një operacion blic në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Luleve, ku u ekzekutuan Bitri dhe Çollaku. U zhvilluan kontrolle për persona të rrezikshëm apo të shpallur në kërkim, por megjithatë nuk u njoftua për persona të shoqëruar apo të arrestuar.
Vetëm pak ditë më parë, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Luleve, u ekzekutuan me armë zjarri sapo zbritën nga makina Lulzim Bitri e Ardian Çollaku.
Lulzim Bitri mbeti i vdekur në vend kurse Çollaku ndërroi jetë disa orë më vonë në Spitalin e Traumës. Pak minuta pas atentatit, policia gjeti duke u djegur automjetin tip Volvo në një rrugë në fshatin Balldre, 6.2 km larg nga vendngjarja.
Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek larja e hesapeve. Dy viktimat rezultojnë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale në Elbasan.
Ardian Çollaku, i njohur edhe si Ardian Subashi, u hetua si i lidhur drejtëpërdrejtë me vrasjen e Everest Çakës në maj të këtij viti. Ndërkohë, në vitin 2015 ai u arrestua në Elbasan pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane, që e kishin dënuar atë me mbi 23 vjet burg për "Shfrytëzimit të prostitucionit" dhe "Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armeve luftarake dhe e municionit".
Lulzim Bitri rezulton mik i ngushtë i Talo Çelës, teksa në vitin 2018 u arrestua, i akuzuar për vrasje në bashkëpunim të një personi në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Vrasja ndodhi pas përplasjes mes dy grupeve kriminale.