Tre të arrestuarit për vrasjen e Liridona Ademajt në Prishtinë në 29 nëntor, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë lënë në burg nga Gjykata e Apelit e Kosovës.
Avokatit të Naim Murselit iu refuzua kërkesa për ndryshimin e masës ndaj klientit të tij, nën arsyetimin se është e pabazë.
Krimi makabër ndodhi në mbrëmjen e 29 nëntorit, pasi Liridona Ademaj së bashku me Naim Murselin që dyshohet se organizator i vrasjes dhe fëmijët e tyre, kishin darkuar në një restorant të kryeqytetit të Kosovës.
Ajo u ekzekutua në makinën që drejtohej nga Naim Murseli ndërsa ky i fundit me 2 fëmijët e mitur u larguan nga vendngjarja. Naim mUrseli e raportoi ngjarjen si grabitje, duke deklaruar në polici se grabitësit i kishin sulmuar dhe kishte arritur të shpëtonte vetëm 2 fëmijët e mitur.
Dy ditë më vonë, në 1 dhjetor, u bë arrestimi i Naim Murselit dhe Granit Plavës. Ky i fundit dyshohet se ekzekutoi Ademajn me porosi të Naim Murselit, i cili sipas tij i kishte premtuar 30 mijë euro nëse kryente vrasjen, një pjesë prej të cilave ia kishte dhënë.
Ndërsa arrestimi i tretë u konfirmua vetëm pak orë më vonë, pasi iu vunë prangat Kushtrim Kokallës, pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ndërsa ditë më parë, u arrestua edhe personi i katërt i cili dyshohet se siguroi armën për kryerjen e vrasjes. Deri më tani ka shumë pista hetimi, por edne nuk ka një ide mbi arsyen që mund ta ketë shtyrë Naim Murselin të porosiste vrasjen e bashkëshortes dhe nënës së fëmijëve të tij.