30 vjeçari Eduart Ksolla, i cili u arrestua nga Policia e Shkodrës për vrasjen e 47 vjeçarit Prek Tonaj, ka mohuar krimin para oficerëve të grupit hetimorë të bluve të Shkodrës.
Burimet bëjnë me dije se 30 vjeçari, nuk ka pranuar akuzat për vrasjen e 47 vjecarit Prek Tonaj mbrëmjen e së dielës.
Ai ka deklaruar se nuk ka qenë atë natë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që prova që mendohet se ka bindur hetuesit e policisë se ky shtetas është autor i dyshuar i vrasjes janë gjurmët e barotit.
Policia e Shkodrës i ka shkuar në banesë 30 vjeçarit Ksolla menjëherë pas vrasjes, pasi dyshohet se kjo ngjarje ka lidhje me konfliktet e hasmërisë mes dy fiseve. Ai është marrë nga banesa e tij dhe është shoqëruar për në ambientet e komisariatit të Policisë së Shkodrës.
Gjatë kontrollit në banesën e 30 vjeçarit nuk i janë gjetur armë, megjithatë tashmë mbi 30 vjeçarin rëndon akuza e vrasjes për gjakmarrje.
Ksolla, 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re, u vu në pranga ditën e djeshme. Eduart Ksolla është i biri i Pal Ksollës, i cili është vrarë në vitin 1996 nga një nga anëtarët e familjes Tonaj.
Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet si autor i vrasjes së 47-vjeçarit Prekë Tonaj, për motive gjakmarrjeje.
47-vjeçari Pek Tonaj, u ekzekutua me breshëri kallashnikovi me armë zjarri mbrëmjen e kaluar në fshatin Grudë e Re në Shkodër, brenda një lokali. Prek Tonaj prej disa vitesh ishte përgjegjës i ujësjellës kanalizime për Njësinë Vendore "Rrethina", ndërsa nuk fshihej nga frika e gjakmarrjes. Tonaj ishte person me precedentë, i arrestuar 11 vite më parë për tentativë vrasje.