TIRANË- Shkëlzen Kastrati po lëvizte me mjetin e tij tip ‘Benz’ kur u qëllua me një automatik i shkurtër. Njëri plumb e goditi direkt në kokë kurse plumbi i dytë i përshkoi krahun, por megjithatë ekspertët e policisë e gjetën me cigare në dorë.
Për hetuesit vrasësit kanë qenë të pagabueshëm sepse plumbin e parë 42-vjecari e mori në kokë, detaj që jep garanci për eliminimin e shënjestrës. Dyshimet e para flasin për autorë të paguar nga hakmarrësit e Kastratit edhe pse hetime po bëhen në lidhje me aktivitetin e tij në Fier dhe Vlorë.
Për ngjarjen tek Ura e Sheqit në Fier, janë marrë në pyetje disa persona të zonës dhe familjarë. Dëshmitë e tyre nuk dhanë ndonjë ndihmë të vlefshme për grupin hetimor dhe të gjithë janë lënë të lirë.
Por, pse grupi hetimor ka dyshime për një hakmarrje? 5 vite më parë është tentuar të vritet në atentat Klemend Kastrati, vëllai i Shkëlzenit. Nga ajo ngjarje humbi jetën Denis Kasaj nga Vlora, kurse Klemendi u plagos. Eliminimi i tij ishte për hakmarrje pasi nga hetimet e kryera në atë kohë ka rezultuar se Klemend Kastrati ishte i implikuar në një plagosje të vitit 2008, për shkak të një sherri makinash, por ai u dyshua dhe për një vrasje të ndodhur në vitin 2012. Shkëlzen Kastrati u ekzekutua kohën kur po shkonte në lokalin e tij në Sheq, lëvizje që e kryente çdo ditë. Makina e autorëve të dyshuar u gjet e djegur tek mbikalimi i Baltëzes brenda së cilës edhe automatiku.