TIRANË-SPAK ka mbyllur hetimet për ekzekutimin me eskortë të hapur dhe në mes Tiranës e ish-efektivit të policisë Santiago Malko nga klani “Duka”. Janë dërguar për gjykim 9 të pandehur: Leonard Duka, Erlis Duka, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni (Musai), Dritan Agaj, të gjithë në arrati dhe Ilir Selmani, aktualisht në paraburgim, Xhoni Nica me “detyrim paraqitje' dhe Elvis Gaçaj, në gjendje të lirë.
Akuzat:
1. Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni (Musai), Dritan Agaj – për vepër penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuara nga nenet 78/2; 278 të Kodit Penal – për ngjarje të ndodhur më datë 27.08.2019 rreth orës 22 : 20, në Rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri viktima Santiago Malko.
2. Leonard Duka, Oltjan Loga, Dritan Agaj akuzohen dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/2/3 të Kodit Penal, për fakt penal të verifikuar më datë 08.04.2019 në Kompleksin “Halili” në Tiranë.
3. Leonard Duka, Oltjan Loga, Dritan Agaj akuzohen dhe për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” përmes mbajtjes së saj, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal, për fakt penal të verifikuar më datë 08.04.2019 në Kompleksin “Halili” në Tiranë;
4. Ilir Selmani akuzohet dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, sipas nenit 278/1 e 2 i Kodit Penal, për fakt penal të verifikuar në datë 16.04.2020 dhe rreth orës 15:30 në Tiranë, në kontrollin fizik për arrestim të tij.
5. Oltjan Loga akuzohet dhe për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323/1 i Kodit Penal, për fakt penal të verifikuar më datë 30.09.2019 rreth orës 14:30 në banesë të shtetasit Oltjan Loga, në rrugën “Spiro Çiço”, pallati nr.31/2/4 Tiranë.
Të gjithë të pandehurit e mësipërm akuzohen dhe për krime të kryera nga “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe përmes pjesëmarrjes në të, të parashikuara nga nenet 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
I pandehuri Elvis Gaçaj akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni”, parashikuar nga neni 278/2/3 të Kodit Penal, në bashkëpunim me Leonard Duka, Oltjan Loga, Dritan Agaj, për fakt penal të verifikuar më datë 08.04.2019 në Kompleksin “Halili” në Tiranë. Elvis Gaçaj akuzohet dhe për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” përmes mbajtjes së saj, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal, në bashkëpunim me Leonard Duka, Oltjan Loga, Dritan Agaj, për fakt penal të verifikuar më datë 08.04.2019 në Kompleksin “Halili” në Tiranë. Gaçaj akuzohet dhe për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323/1 i Kodit Penal, për fakt penal të verifikuar më 07.08.2019 rreth orës 02.00 në banesë të tij, në rrugën “Dora D’Istria”, pallati nr.12/1, Sh.1, ap.8, Tiranë. SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes ndaj personit nën hetim Xhoni Nica.
-Vrasja e Santiago Malkos më 27 gusht 2019 ishte planifikuar nga një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qënë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin “Doqen” e Vlorës për të hapur zjarr në drejtim të objektivit Malko. Etja për të vrarë Santiago Malkon dhe për të mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi këtij personi, ka qënë e madhe, kjo pasi shihet qartë dhe hapur mobilizimi i klanit “Duka”, në logjistikë, në burime njerëzore dhe burime financiare. “Shqiptarja.com” e cila ka investiguar dhe publikuar e para se hija e kujt klani fshihej pas kësaj vraje, emrat dhe rolin e klanit “Duka” në këtë ngjarje, sot sjell të plotë akuzat që janë ngritur ndaj personave të shpallur në kërkim si Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj ose “Gabeli”, Fatmir Hyseni ose “Doqja” dhe Bledar Teta.