Ratko Malldiç, gjatë seancës ditën e sotme

Kosova & Rajoni

Ekzekutori i të paktën 8000 të pafajshmëve, dënohet përfundimisht me burg përjetë për gjenocid 'Kasapi i Bosnjës', Ratko Mlladiç

8 Qershor 2021, 16:36| Përditesimi: 8 Qershor 2021, 23:36

  • Share

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për udhëheqësin ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiç i njohur ndryshe edhe si "Kasapi i Bosnjës", për rolin e tij në gjenocidin në Srebrenicë, rrethimin e Sarajevës dhe krime të tjera të luftës.

Gjykata la në fuqi dënimin e Mlladiç në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve për ish Jugosllavinë dhe paneli me pesë gjyqtarë të martën drejtohej nga Gjykatësi Kryesues Prisca Matimba Nyambe nga Zambia.

Nyambe së bashku me gjykatësit e tjerë në shumicën e gjetjeve të tyre, theksuan se argumentet e Mlladiç nuk qëndronin, përfshirë refuzimin e argumentit të Mlladiçit se Srebrenica ishte evakuar për "arsye humanitare".

Pas vendimit për lënien në fuqi të burgimit të përjetshëm për 'Kasapin e Bosnjës' Ratko Mlladiç ka reaguar edhe SHBA, ku presidenti Joe Biden e quajti historik konfirmimin e dënimit me burgim të përjetshëm dhe theksoi se ky vendim tregon se ata kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Presidenti amerikan përmes një deklarate thotë se mendimet e tij janë me familjet e mbijetuara të shumë viktimave nga mizoritë e Mlladiçit.

Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e ka cilësuar këtë vendim si një paqe për viktimat dhe të dashurit e tyre. Ai shprehet se SHBA do të vazhdojë të flasë për drejtësi dhe përgjegjësi.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla drejtësia vonon, por nuk harron, duke shtuar se Mlladiç është fajtor për gjenocid.

Në lidhje me këtë vendim kanë reaguar edhe fqinjët tanë në Kosovë. Kryeministri, Albin Kurti shkruan se Serbia e portretizoi Mlladiçin si një hero. Sipas tij, ky vendim është një kujtesë se mohimi i krimeve në Kosovë e Bosnjë duhet të marrë fund. Ndërsa, Presidentja Vjosa Osmani thotë se s’ka më dyshime se synimi i Millosheviçit, Mlladiçit dhe anëtarëve të regjimit ishte gjenocidi. Sipas saj, rajoni ka një rrugë të gjatë për të siguruar që të gjithë të marrin drejtësi.

Mlladiç u dënua në 2017 me burgim të përjetshëm për rolin e tij si komandant ushtarak gjatë luftës në Bosnjë, e cila zgjati nga 1992 deri në 1995.

Mlladiç është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës. Gjatë së cilës forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë. Në seancën e tij të apelit në Hagë, gushtin e kaluar, Mlladiç e ka cilësuar gjykatën si një “fëmijë” të fuqive perëndimore.

Pasi ka kaluar gati 16 vjet në arrati, ai është arrestuar në Serbi më 26 maj, 2011, dhe është transferuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë më 31 maj, 2011. Gjyqi ndaj tij ka nisur në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë. Dënimi i tij fillestar 40-vjeçar për gjenocid dhe krime të luftës u rrit më vonë në burgim të përjetshëm në 2019 - pjesa tjetër e së cilës ai do të shërbejë në MB.

Ne foto, në vitin 1995 Ratko Mlladiç së bashku me ish-liderin serb të Bosnjës Radovan Karaxhixh. 

Ora 23:19
Dënimi me burgim të përjetshëm, Osmani: S’ka më dyshime se qëllimi i Millosheviçit dhe Mlladiçit ishte gjenocidi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka komentuar vendimin e Hagës për lënien në fuqi të dënimit me burgim të përjetshëm të Ratko Mlladiç duke shpërndarë edhe reagimin e Presidentit të SHBA, Joe Biden se vendimi i sotëm është rast i rrallë i drejtësisë së dhënë.

Sipas saj, s’ka më dyshime se synimi i Millosheviçit, Mlladiçit dhe anëtarëve të regjimit ishte gjenocidi.

Ndërkohë Osmani shkruan se rajoni ka një rrugë të gjatë për të siguruar të gjithë të marrin drejtësi.

“Kur shohim një verdikt të tillë sikurse ky i ditës së sotme, njerëzit dhe familjet që përjetuan vuajtjet e parrëfyera nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit do ndjehen një hap më pranë drejtësisë. Nuk ka tashmë dyshime se qëllimi i Millosheviçit, Mlladiçit e të tjerëve që ishin pjesë e atij regjimi, ishte gjenocidi.

Ky gjykim do të hyjë në histori si një rast i rrallë i drejtësisë i dhënë, por rajoni ka një rrugë të gjatë për të bërë për të siguruar që të mbijetuarit e tjerë dhe familjet e të zhdukurve gjithashtu të marrin drejtësi”, shkruan Osmani. 

Ora 22:49
‘Kasapi’ i Bosnjës dënohet me burgim të përjetshëm për gjenocid, Biden: Gjykim historik, ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e quajti “historik” konfirmimin e dënimit me burgim të përjetshëm nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për ish-komandantin ushtarak serb të Bosnjë dhe Hercegovinës, Ratko Mlladiç.

Presidenti amerikan përmes një deklarate thotë se mendimet e tij janë me familjet e mbijetuara të shumë viktimave nga mizoritë e Mlladiqit. Gjithashtu, ai theksoi se ky vendim tregon se ata kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi.

“Shpresoj që gjykimi i sotëm të jetë një ngushëllim për të gjithë ata që janë të pikëlluar, edhe pse kurrë nuk mund të fshijmë tragjedinë. Ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Vendimi gjithashtu fuqizon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar ndodhjen e mizorive të ardhshme kudo në botë”, thuhet deklaratë.

Ora 22:43
Mlladiç u dënua përjetë, Kurti: Serbia e portretizoi 'Kasapin' si hero, të marrë fund mohimi krimeve të Kosovës e Bosnjës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me dënimin përjetë të Ratko Mlladiç për gjenocid. Kurti shkruan se Serbia e portretizoi atë si një hero. Sipas tij, ky vendim është një kujtesë se mohimi i krimeve në Kosovë e Bosnjë duhet të marrë fund.

“Krimineli famëkeq i luftës, Ratko Mlladiç, i njohur si ‘Kasapi i Bosnjës e Hercegovinës’, dënohet me burgim të përjetshëm për gjenocid. Serbia e fshehu dhe e portretizoi atë si një hero. Por ky vendim është një kujtesë se mohimi serb i krimeve të së kaluarës në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë duhet të marrë fund”, shkruan Kurti në twitter.

Ora 19:19
Burg përjetë për 'Kasapin e Bosnjës' Ratko Mlladiç, Balla: Drejtësia vonon por nuk harron

Drejtësia vonon por nuk harron, kështu ka reaguar Sekretar i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla  pas lënies në fuqi për dënimin me burgim të përjetshëm për udhëheqësin ushtarak serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç.

“Drejtësia vonon por nuk harron. Burgim të përjetshëm për kasapin e Ballkanit Ratko Mladiç, i cili është fajtor për gjenocid, vrasje e krime lufte në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjes si dhe për rrethimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë qytetarë”, shkruan Balla.

Ora 18:54
Burg përjetë për 'Kasapin e Bosnjës' Ratko Mlladiç, Blinken: SHBA do të vazhdojë të flasë për drejtësi dhe përgjegjësi

1618220915_blinken.PNG

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës ka dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm udhëheqësin ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiç i njohur ndryshe edhe si "Kasapi i Bosnjës", për rolin e tij në gjenocidin në Srebrenicë, rrethimin e Sarajevës dhe krime të tjera të luftës. Pas këtij vendimi ka ardhur dhe reagimi i parë nga SHBA, ku Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e ka cilësuar këtë vendim si një paqe për viktimat dhe të dashurit e tyre. Ai shprehet se SHBA do të vazhdojë të flasë për drejtësi dhe përgjegjësi

“Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës dënoi ish komandantin e ushtrisë serbe boshnjake, Ratko Mlladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, sjell një farë mase paqeje për viktimat dhe të dashurit e tyre. SHBA do të vazhdojë të flasë për drejtësi dhe përgjegjësi”, shkruan Blinken.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?