Jeddah, Arabia Saudite - Mbani mend datën dhe orën. Të diel më 12 janar në orën 20:00 përballen Real Madrid dhe Barcelona. Sfida El Clasico këtë herë ka në mes një trofe pasi luhet në finalen e Superkupës së Spanjës.
Si trajneri Carlo Ancelotti dhe Hansi Flick kanë siguruar se ekipet që drejtojnë janë gati dhe duan trofeun në një ndeshje që për shumëkënd është më e rëndësishmja në botë.
Përpara sfidës, italiani i madrilenëve tha se u duhet trofeu si stimul për sezonin. Ancelotti kujtoi se kë kanë përballë dhe se duhet të luajnë shumë mirë.
“Përpara kësaj finaleje jemi mirë. Me shumë entuziazëm dhe dëshirë. Problemet që patëm kundër Mallorcas janë zgjidhur dhe të gjithë janë në dispozicion. Një finale kundër Barcelonës është gjithmonë e veçantë, kjo shton presionin.
Ata janë një rival historik dhe ndeshjet janë gjithmonë shumë konkurruese. Do të jetë shumë e vështirë për ne dhe për ata. Ne duhet të luajmë shumë mirë, jo mirë, por shumë mirë. Ky titull ka vlerë. Kur fitojmë Superkupën, zakonisht sezoni përfundon mirë duke fituar kampionatin dhe Champions League. Është një ndeshje që të jep shumë vrull për të vazhduar të bëjmë mirë”, tha Ancelotti.
Nga ana tjëtër, gjermani Hansi Flick shtoi se Barcelona është gati dhe kërkon trofeun e parë për këtë vit.
"Është një sfidë e madhe. Po flasim për ‘El Clasico’ dhe finalen e Superkupës. Nëse fitojmë, do të fitojmë më shumë besim për pjesën tjetër të sezonit. Nëse triumfojmë, do të jetë shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Duhet t’u tregojmë atyre se dimë të luajmë. Këtë duhet ta bëjmë më mirë se sa kundër Athletic Bilbao. Ata janë të fortë, por ne e kemi vetë në dorë. El Clasico ngelet gjithnjë El Clasico. Por presioni shtohet më shumë kur është një finale. Kam luajtur shpesh kundër Real, të përballesh me ta është gjithmonë speciale. Jemi të emocionuar, por te ne dominon besimi për fitoren, si gjithnjë në finale", tha Flick.