Kronikë

E rëndë në Elbasan/ 2 vëllezërit e mitur mbyten në lumin Shkumbin! Po ruanin bagëtitë me nënën dhe u futën për t'u larë

18 Korrik, 19:44| Përditesimi: 19 Korrik, 10:32

  • Share

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të premteje në Labinot-Fushë të Elbasanit, ku 2 vëllezër të mitur janë mbytur në lumin Shkumbin.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se 2 të miturit, 7 vjeç dhe 9 vjeç, kanë qenë duke ruajtur disa bagëti me nënën e tyre dhe në një moment janë shkëputur për t’u larë në lumin Shkumbin, rrjedha e të cilit i ka mbytur, ndërsa nëna e tyre kërkonte ndihmë për t’i shpëtuar. Banorë të zonës u përpoqën për t’i ndihmuar, por tashmë gjithçka kishte marrë fund.  

Trupat e pajetë të 2 të miturve janë gjetur disa metra poshtë vendit ku dyshohet se u futën fillimisht në ujërat e lumit Shkumbin, për t'u larë.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes duke marrë dëshmi dhe mbledhur të dhëna me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike.

"Në fshatin Labinot fushë, dyshohet se janë mbytur aksidentalisht në lumin Shkumbin dy fëmijë të moshës 7 dhe 9 vjeç (vëllezër).

Trupat e pajetë po transportohen për ekspertizë mjeko-ligjore",- njofton policia.

Nëna e tyre ende nuk ka dëshmuar për hetusit për dinamikën e ngjarjes teksa ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.

Ora 21:35
Mbytja e të miturve, i afërmi për tragjedinë: Me ato bagëti mbahen, në lumë ishte formuar një gropë

 

Njëri prej të afërmve ka rrëfyer detaje nga tragjedia e ndodhur këtë të premte në lumin Shkumbin.

“Po kthehesha nga puna dhe pashë policinë, policët po vinin me vrap, njëri që punon tek hidrocentrali njërin fëmijë e kishte në krah, pashë të ëmën që po u përplaste këtej, i ati nuk e dinte nga po ikte, po i kam robt e mi, kanë bagëti, me ato mbahen, se s’kanë gjë tjetër.

Prindërit mbajnë lopët, fëmijët mbajnë gjërat e imta, atje matanë është bërë një gropë e madhe, se kanë bërë një pritë që mos ikë uji matanë, aty i kishte gjet roja që punon tek hidrocentrali, njërin fëmijë e kishte polici në krah, e shtriva në tokë i bëra frymëmarrje artificiale, nuk di ça të them nuk jepte reagim fare, vinin përditë tek puna ime mbushnin ujë, rrinim bashkë aty kur ishte vapë”, tha i afërmi.

“I kam fshatarët e mi, sa mësova për ngjarjen, erdha të mbledh bagëtitë. Fëmijët kanë qenë me bagëtitë këtu. Nuk kam çfarë të them, fatkeqësi e madhe”, u shpreh një tjetër banor.

'Shkumbini nuk ka shumë ujë, por do kenë rënë në ndonjë gropë. I njohim, është ngjarje shumë e rëndë. Zakonisht ka fëmijë që lahen në lumë, por nuk e dimë si ka qenë punë”, u shpreh ai.

 

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • abc: 19/07/2025 00:25

    nena nuk duhej ti linte..ose ti shkonte mbrapa.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?