Elbasan- Banorët e 4 fshatrave në njësinë administrative Shushicë në Elbasan protestuan paraditen e sotme (4 qershor) pasi të mbjellat po thahen për ujë.
Ata shprehen se kanali vaditës që i furnizon me ujë është i bllokuar dhe sipas tyre shkak janë bërë punimet për një hidrocentral privat. Kanali vaditës që menaxhohet nga Bordi i Kullimit duhet të ishte funksional prej datës 15 Maj 2024, por kur kjo periudhë ka kaluar ata po përballen me thatësirën. Shqetësimi i tyre mbështetet edhe nga kryetari i njësisë administrative të Shushicës.
“Kam të mbjella ullinj dhe portokalle. Ato nëse nuk vaditen mbaruan punë”, tha një banorë.
“Ne kemi firmosur një kontratë dhe duhet që të vinte uji. Kontrata ka qenë nga maj deri - në shtator, shihe datën sa është sot”, tha një banorë.
“Firma që punon atje ka prishur kanalin duke hapur rrugën për vete dhe ka bllokuar kanalin. Nëse nuk do të jepet një zgjidhje do të vijojmë protestat”, shprehet një tjetër banorë nga protesta.
Pas protestës së banorëve, reagoi Bordi i Kullimit, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë.
Në reagim shkruhet se kanali vaditës është në funksion për ujitje, por ka një problem për çuarjen e ujit tek vepra e marrjes.
“Si pasojë e reshjeve kanë shkarë dy masive me gurë dhe kanë bllokuar kanalin e hyrjes. Po punohet me krahë pasi ka vështirësi në hyrjen e mjeteve në terrenin e vështirë”, thuhet nga bordi.
Bordi i Kullimit nuk jep afat për punimet, çka do të thotë se banorët do të mbeten pa ujë edhe ditët në vazhdim, gjë e cila shton më shumë problemet në bujqësi.