ELBASAN - AMP ka pezulluar 3 punonjës policie për shkak se nuk parandaluar arratisjen e N.L. dhe E.P. nga dhomat e sigurisë së policisë së Elbasanit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, duke caktuar masën e sigurisë ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” për punonjësit e policisë Theofan Telo, Andeta Liçi, dhe Avni Bahja, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
'Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 31/12/2024 Drejtoria Rajonale e AMP-së ka bërë ndalimin me iniciativë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” ndaj punonjësit të policisë Inspektor Dh.D., me detyrë Trupë shërbimi vend roje në dhomat e shoqërimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë për "Shpërdorim i detyrës" edhe punonjësit e policisë Inspektor A.H., me detyrë Trupë shërbimi vënd roje në DVP Elbasan dhe Inspektor Avni Bahja, me detyrë Përgjegjës i Dhomave të Sigurisë në DVP Elbasan.', thotë njoftimi i AMP-së.
Dyshohet se këta punonjës, në mospërmbushje të detyrave të tyre funksionale, nuk kanë marrë masa për parandalimin e arratisjes së Nazmi Liçi dhe Ervis Peqini nga dhomat e sigurisë në Komisariatin e Policisë Elbasan. Ndaj këtyre të fundit, Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.