Kronikë

Skemë mashtrimi në Elbasan, falimentuan 7 fasoneritë për të shmangur tatimet, arrestohen 3 biznesmenët, 2 në kërkim! Dëmi 14 mln lekë

4 Qershor, 08:24| Përditesimi: 4 Qershor, 18:29

  • Share

Tre biznesmenë italianë dhe dy shqiptarë, krijuan nje skemë mashtrimi dhe çuan në faliment të stisur 7 fasoneritë e tyre, duke shmangur detyrimet tatimore. Totali i detyrimeve ndaj shtetit shkon në mbi 14 milionë lekë, ndërsa nga analizimi i llogarive bankare, janë konstatuar tërheqje mbi 2.1 milionë euro, të pajustifikuara dhe pa dokumentacion tatimor.

Pas një hetimi njëvjeçar, Prokuroria e Elbasanit kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për pesë biznesmenët, tre prej të cilëve shtetas italianë dhe dy shqiptare. Ndërsa një ekonomiste u la në arrest shtepie. Sakaq, policia bën të ditur se ka arritur të prangosë deri më tani, 3 prej tyre, dy të tjerë janë ende në arrati.

Në pranga kanë rënë Albert Kau, administror i kompanisë ‘GEA & AF’ dhe ‘GEA FJ’,  Zyhra Kreci administore e ‘TOMAIFICIO VITTORINI’ dhe italiani Giuseppe Lamacchia që administronte kompanite ‘MGP’ dhe ‘V.P.A.’ Italiani u kap në aeroportin e Rinasit në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.

Nga hetimet rezultoi se biznesmenet krijuan skemë mashtrimi të mirorganizuar ku asetet dhe punonjësit janë transferuar nga një subjekt në tjetrin, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Me kerkese te prokurorise, Gjykata e Elbasanit vendosi sekuestro konservative ndaj 7 fasonerive, disa llogari bankare dhe dhjetë automjete.

Ndaj tyre rëndojnë një sërë akuzash si “Mospagim të Taksave dhe Tatimeve”, “Falimentim i provokuar”, ‘Mashtrimi’, “Shpërdorim i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Prokuroria e Elbasanit ka dyshime së në këtë skemë janë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, të Tatimeve, të Doganës si dhe të bashkive Elbasan, Durrës dhe Tiranë, ku shtrihej aktiviteti i këtyre ndermarrjeve fasone.

Njoftimi i Prokurisë së Elbasanit: 

Krijuan një skemë mashtrimi mes shoqërive tregtare për të shmangur detyrimet tatimore, me kërkesë të Prokurorisë Elbasan arrestohen pesë persona, mes të cilëve 3 shtetas italianë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për pesë persona, tre prej të cilëve shtetas italianë dhe ‘Arrest shtëpie’ për një shtetase tjetër të dyshuar për veprat penale “Mospagim të Taksave dhe Tatimeve”, “Falimentim i provokuar”, ‘Mashtrimi’, “Shpërdorim i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga nenet 181, 193, 143, 164 dhe 180 i Kodit Penal. Në kuadër të hetimeve mbi procedimit penal nr. 1462 të vitit 2024, të referuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe të kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u zbulua ekzistenca e një skemë mashtrimi të mirorganizuar ku asete, punonjës dhe aktivitet ekonomik janë transferuar nga një subjekt në tjetrin, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe fiktivizimin e operacioneve financiare. Totali i detyrimeve tatimore të papaguara për subjektet rezulton në mbi 14 milionë lekë, ndërsa nga analizimi i llogarive bankare, janë konstatuar tërheqje mbi 2.1 milion euro, të pajustifikuara dhe pa dokumentacion tatimor mbështetës. Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal, me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan nr.351, datë 02.06.2025 janë vendosur nën sekuestro konservative shtatë subjekte tregtare, disa llogari bankare dhe dhjetë automjete. Shtetasit ndaj të cilëve janë caktuar masat e sigurimit, në bashkëpunim me njëri – tjetrin dhe persona të tjerë, ishin përfshirë në një skemë mashtrimi duke simuluar falimentin e subjekteve dhe krijimin e tyre në mënyrë fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm financiar. Subjektet lidhen direkt dhe indirekt me njëri-tjetrin, duke qënë se aktiviteti i tyre në fushën e fasonerisë, aksioneret dhe administratorët e shoqërive, si dhe punonjësit janë të njëjtë në të gjitha shoqëritë. Asetet kanë kaluar nga një shoqëri te tjetra dhe me anë të veprimeve aktive, shtetasit dhe subjektet nën hetim kanë sjellë një dëm ekonomik të konsiderueshëm. Në kuadër të këtij procedimi penal janë duke u kryer hetime metoda speciale të hetimit, pasi ka dyshime së në këtë skemë mashtrimi janë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, të organeve tatimore, doganore dhe bashkive ku këto subjekte ushtronin aktivitetin e tyre, e konkretisht në qytetet Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, i bën thirje shtetasve që të denoncojnë çdo lloj akti korruptiv apo abuzim me detyrën të çdo funksionari publik me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 05/06/2025 04:36

    Keto numra do te behen edhe kur te skadoje ajo /paqja fiskale/ e qeverise.Kur te afroje koha e skadimit te /paqes fiskale/,do te kete biznese qe do te /falimentojne/,ose do te mbyllen para kohe per te evituar taksat e sidomos ato te plota.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?