Një trup i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit Shkumbin nga një peshkatar lokal. Policia ka rrethuar zonën dhe po punon për nxjerrjen e kufomës. Trupi është konstatuar rastësisht nga një peshkatar, i cili njoftoi menjëherë banorët përreth dhe më pas autoritetet. Sipas burimeve nga vendngjarja, kufoma ndodhet aktualisht në zonën pranë ish-Metalurgjikut, një territor i vështirë për t’u arritur dhe me qasje të kufizuar.
Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar perimetrin, duke ndaluar hyrjen e qytetarëve në zonë për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e provave. Për të nxjerrë trupin nga lumi, është kërkuar asistenca e polumbarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit, të cilët janë në veprim për të mundësuar tërheqjen dhe transportimin e trupit drejt morgut të spitalit rajonal.
Sipas policisë trupi i gjetur mund të jetë ndarë nga jeta disa ditë më parë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:30, Policia ka marrë njoftim se në lumin Shkumbin, ishte konstatuar i mbytur një shtetas i moshuar.
Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nxjerrë nga uji trupin e pajetë, ende i paidentifikuar.
Nga këqyrja paraprake e trupit të ketij shtetasi dyshohet se ai ka humbur jetën disa ditë më parë.
Trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit të Elbasanit, për ekspertizë.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasit të pajetë, përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Komente
