Elbasan- Policia e Elbasanit ka zbardhur ngjarjen e zjarrvënies në varrezat e fshatit Shënkoll në datën 2 korrik.
Pas hetimeve të thelluara rezultoi se i dyshuar për ngjarjen ishte një 33-vjeçar që u procedua penalisht në gjendje të lirë dhe që dëshmoi se po përpiqej të digjte barishtet që kishin mbuluar varrin e nënës së tij, por situata ka dalë jashtë kontrollit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan konfirmuan sot (7 korrik) se referuan materialet në Prokurori për A. R., 33 vjeç, pasi “dyshohet se në varrezat në lagjen "Shënkoll" ka ndezur zjarr për të djegur disa barishte në afërsi të varrit të nënës së tij, dhe nga pakujdesia është djegur një sipërfaqe toke”.
Po kështu u procedua edhe S. P., 77 vjeç, pasi ka ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe barishte. Një tjetër vatër zjarri nga pakujdesia u shënua edhe në Gramsh, teksa një person u mor nën akuzë.
“F. Ll., 46 vjeç, dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur disa barishte, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me shkurre”, tha policia.
Ditën e djeshme (6 korrik), edhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Erjon Murataj, ka denoncuar zjarrvënien në varrezat e qytetit. Në videon e publikuar nga Murataj dukej se si zjarri ka shkrumbuar çdo gjë në një sipërfaqe të madhe në varrezat e Elbasanit.
Sipas Bashkisë Elbasan, zjarri në këto varreza është një ngjarje e përsëritur dhe e qëllimshme, dhe për këtë janë bërë denoncimet përkatëse.
Komente
