AMP njofton operacionin në Elbasan

Kronikë

Elbasan/ Lejuan aktivitetin pa licencë të familjarit, nën akuzë 2 policët babë dhe bir! Në pranga 25-vjeçari që drejtonte lokalin, viheshin dhe baste sportive

22 Mars, 16:05| Përditesimi: 22 Mars, 16:17

  • Share

Elbasan- Aktiviteti i palicencuar në lokal ka çuar në pranga jo vetëm 25-vjeçarin e dyshuar që menaxhonte bar-kafenë dhe kryente aktivitet të paligjshëm lojërash fati, por edhe dy familjarët e tij u morën nën akuzë nga AMP, respektivisht babai dhe vëllai i të riut, njëkohësisht efektivë policie.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë), njoftoi sot (22 mars) se pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale nën drejtimin e Prokurorisë, arrestoi në flagrancë F. D., 25 vjeç.

Ai akuzohet për 5 vepra penale; “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “fshehja e të ardhurave”, “ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore etj”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

“U proceduan në gjendje të lirë për "shpërdorim detyre" edhe punonjësit e policisë (vëllai dhe babai): Inspektor G. D., 28 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Stacionin e Policisë Përrenjas dhe ⁠Inspektor H. D., 63 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Peqin”, njoftoi AMP.

Arrestimi i 25-vjeçarit u bë pasi nga kontrolli i biznesit Bar-Kafe në pronësi të familjes, i cili rezultonte i palicencuar, u siguruan prova dhe fakte që ata e kishin përshtatur ambientet e këtij biznesi për organizimin e palejuar të lojërave të fatit.

“Nga kontrolli i ushtruar në biznesin Bar Kafe, u sekuestrua një armë e ftohtë e llojit thikë, një telefon celular, si dhe shumat monetare prej 612,700 lekë dhe 550 euro të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm”, sqarohet në njoftim.

AMP apeloi gjithashtu për qytetarët se “mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected]”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?