Elbasan-Prokuroria e Elbasanit ka ndaluar 2 punonjës të IMT dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi ka dyshime se lejuan shtrimin e rrugëve në Belsh gjatë fushatës elektorale.
Sipas prokurorisë, punonjës të IMT Bashkia Belsh, kanë lejuar që subjekti ‘V.H’ shpk të shtrojnë rrugët e Belshit pa projekt. Personat e ndaluar janë Fation Muça dhe Lorenc Hoxha, ndërsa në kërkim janë shpallur administratorët e subjektit Besnik Hysa e Dhiogjen Kristo.
Ka qenë kryetari i PD në Belsh, Dritan Cani i cili e ka denoncuar me video, ku përmes një postimi në rrjete sociale shkruan: 'Asfaltim një javë para zgjedhjeve'.
Në video mes të tjerash ai thotë: “I bëj thirrje Kryetarit të Bashkisë Belsh, që pse shtrohet ky asfalt tani, një javë para zgjedhjeve”.
Në kuadër të këtij procedimi janë kryer disa veprime hetimore si kqyrja e vendit të ngjarjes, kqyrja dhe sekuestrimi i dokumentacionit mbi punimet në rrugë (praktika e mbajtur nga ana e Bashkisë Belsh dhe nga subjekti “V.H” shpk), administrim i deklarimeve të personave që kanë dijeni rreth veprës penale.
Në tërësi të veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente, rezulton se ka dyshime të arsyeshme që punonjës të IMT Bashkia Belsh kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi me mosveprimet e tyre kanë lejuar që subjekti “V.H” shpk të shtrojnë pa projekt rrugë të brendshme në qytetin e Belshit, të dyshuara të kryera në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e datës 11.05.2025.
Nga ana e subjektit “V.H.” shpk është kryer vepra penale e “Ndërtimit të paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal. Sa më sipër në datë 10.05.2025 nga Prokurori i çështjes është urdhëruar ndalimi i të dyshuarve për shtetasit Fation Muça, Lorenc Hoxha, Dhiogjen Kristo dhe Besnik Hysa. Nga policia gjyqësore është ekzekutuar ndalimi për dy shtetas, janë ushtruar kontrolle vendesh si dhe është bërë shpallja në kërkim e dy shtetasve Dhiogjen Kristo dhe Besnik Hysa', thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Komente
