Elbasan- Një 19-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit pasi akuzohet se nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit ka marrë kredi duke përdorur kartën e identitetit të një bashkëmoshatareje të tij.
Burime zyrtare bënë sot me dije (8 korrik) se regjistruan denoncimin e 19-vjeçares dhe nisën hetimet për rastin.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare shpallën në kërkim shtetasin A. D., 19 vjeç, pasi ka kallëzuar një bashkëmoshatare e tij, se ka marrë kredi me kartën e identitetit që i ka marrë pa dijeninë e saj. Punohet për kapjen e shtetasit A. D., si dhe për verifikimin e kallëzimit”, bëri me dije policia.
Dosja hetimore për rastin i kaloi Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme, teksa pritet të verifikohet edhe mënyra se si është lëshuar kredia për adoleshentin pa qenë vetë prezent personi që posedonte kartën e identitetit dhe shuma për të cilën ka aplikuar i dyshuari.
Komente
