Një 37-vjeçar i cili është ndaluar nga policia Rrugore e Elbasanit, pasi lëvizte me një automjet xhama të zinj, ka përfunduar në spital, pasi dyshohet se ka konsumuar lëndë narkotike në momentin ndalimit nga efektivët.
Policia bën me dije se pasi 37-vjeçari Emiljano Merkja, në momentin që efektivët i kanë kërkuar dokumentacionin e makinës, ai nuk i është bindur urdhrit dhe dyshohet se ka konsumuar një sasi lëndë narkotike që e mbante me vete për përdorim vetiak.
Pas shoqërimit në Komisariat, 37-vjeçari nuk është ndjerë mirë dhe është dërguar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
“Më datë 27.09.2025, shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë konstatuar në lëvizje në aksin "Bradashesh-Elbasan", një automjet me xhama të zinj dhe i kanë bërë shenjë për ndalim. Drejtuesi, shtetasi E. M., 37 vjeç, ka ndaluar automjetin, por nuk i është bindur urdhrit për të dhënë dokumentacionin. Shërbimet e Policisë e kanë shoqëruar shtetasin E. M., në Komisariat, për verifikim. Gjatë veprimeve procedurale, shtetasi E. M. ka shfaqur probleme shëndetësore, ndaj është dërguar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore. Paraprakisht dyshohet se 37-vjeçari ka gëlltitur një sasi lënde të dyshuar narkotike. Ai vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për rastin.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale për rastet e tjera iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Komente
