Elbasan-Një 30- vjeçar është vënë në pranga nga policia, pasi nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar automjetin me të cilën shpërndante kokainë dhe kanabis.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, finalizuan operacionin e koduar “Risku”, ku në pranga u vendos, E. S., 30 vjeç, ndërsa nisi hetimi për babain e tij, F. S., 67 vjeç, të dy banues në Peqin.
Nga kontrollet e ushtruara nga policia, në banesën e tyre u gjetën, 630 gramë Cannabis, një sasi kokaine, 3 armë gjahu, 2 armë të ftohta (thika), 1 armë sportive, 55 fishekë, sasi baruti me të cilin mbusheshin fishekët, 1 palë dylbi dhe 1 dedektor metal-kërkues.
‘Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në lagjen "Teqe", i është bërë shenjë ndalimi, automjetit me drejtues shtetasin E. S., i cili dyshohej se shiste Kokainë dhe Cannabis, në Peqin. 30-vjeçari nuk i është bindur urdhrit për ndalim, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë’, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Komente
