Elbasan/ Përfshihet nga flakët fusha e mbetjeve të Inceneratorit, tymi dhe era e keqe pushtojnë zonën! PD: E qëllimshme! Policia: Aksident (VIDEO)

9 Nëntor, 08:43| Përditesimi: 9 Nëntor, 16:48

  • Share

Elbasan- Një re gjigante tymi ka nisur të mbulojë qytetin e Elbasanit prej orëve të para të mëngjesit të sotëm (9 Nëntor).

Shtëllungat erdhën nga periferia, aty ku ndodhet edhe fusha e mbetjeve. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe ka përfshirë të gjithë pirgun me mbetje, duke vijuar të digjet për disa orë.

Bëhet fjalë për fushën e mbetjeve ku ndodhet edhe inceneratori i Elbasanit. Një numër zjarrfikësesh në mjete dhe punonjës u nisën menjëherë drejt vendngjarjes, njoftoi gazetari i Report TV, Ronaldo Gjoshi. Tymi dhe era e rëndë u përhapën në të gjithë fushën e qytetit.

Paralelisht me operacionin e shuarjes së flakëve, ka nisur edhe hetimi paraprak për të zbuluar rrethanat dhe shkaqet e zjarrit, nëse është i qëllimshëm apo aksidental.

Policia vendore njoftoi pas mesditës se flakët ishin shuar. Në njoftimin zyrtar theksohet se paraprakisht dyshohet se shkak i vatrës së zjarrit në landfill ka qenë “një shkëndijë e krijuar si pasojë e përbërjes së mbetjeve”, por pa e specifikuar teknikisht këtë reaksion. Dyshohet se grumbulli i mbetjeve ka krijuar nxehtësinë dhe më tej reaksionin nga gazrat e çliruara.

Pas ngjarjes kanë shkuar afër perimetrit edhe zyrtarë lokalë, si kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja, por edhe përfaqësues të opozitës, si deputeti demokrat Qani Xhafa dhe kreu i PD-së lokale, Bledi Himçi.

Ata fajësuan kryebashkiakun se ka caktuar zjarrvënien qëllimisht për të mbuluar vjedhjen që bëhet me inceneratorin, duke e cilësuar katastrofë mjedisore, metalurgjik të dytë, teksa kërkuan që SPAK dhe Prokuroria Elbasan të nisnin hetimet. Kurse deputeti Dashnor Sula me një postim në FB deklaroi se "qytetarët e Elbasanit po mbyteshin me tym kancerogjen".

Ora 15:58
Basha: Tymi që mbulon sot Elbasanin është akuza më e madhe publike ndaj Edi Ramës, projekt korruptiv

1728549731_lulzimbasha.jpg

Lulzim Basha, kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar sot ashpër ndaj ndotjes që po shkaktohet nga djegia e mbetjeve në Elbasan, pas zjarrit që ra sot (9 Nëntor), duke e cilësuar si një dëshmi tjetër të skandalit të inceneratorëve që vazhdon të dëmtojë qytetarët shqiptarë.

Basha theksoi se tymi dhe flakët toksike që mbulojnë qytetin janë rezultat i një projekti korruptiv, që ka shkaktuar vetëm dëme për shëndetin e qytetarëve dhe për ekonominë e vendit.

Ai tha se kjo situatë është pasojë e aferës së inceneratorëve, ku “janë shpenzuar miliarda lekë pa asnjë rezultat të prekshëm”, duke dëmtuar “si shëndetin e qytetarëve, ashtu edhe xhepat e taksapaguesve”. Në fund, ai bën apel për një hetim të thelluar për të nxjerrë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për këtë dëm të madh ndaj qytetarëve dhe mjedisit.

Reagimi i plotë i Bashës:

“Megaafera e inceneratorëve është një nga skandalet korruptive më të mëdha të shtetit shqiptar prej themelimit të tij. Pavarësisht denoncimeve tona të drejta për dëmin ekonomik që hajnia e tij po shkaktonte me taksat e shqiptarëve, Edi Rama ka promovuar dhe mbrojtur hajdutërinë e ndodhur me tre inceneratorët, njëri prej të cilëve nuk ekziston dhe dy të tjerët janë jashtë funksioni.

Këto monumente të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës nuk kanë dëmtuar vetëm xhepat e qytetarëve më të varfër të Europës, por vijojnë të dëmtojnë shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Tymi që mbulon sot Elbasanin është akuza më e madhe publike ndaj Edi Ramës. Aty ku duhet të ishte inceneratori shumë milionësh, ka vetëm plehra që digjen e bashkë me to propaganda e neveritshme e qeverisë, e financuar nga ato para që u vodhën përmes kësaj afere. 

Flakët toksike që po helmojnë sot Elbasanin janë një thirrje për çdo qytetar shqiptar për ta ndëshkuar me votë Edi Ramën, për mashtrimet dhe korrupsionin e tij, po ashtu është një apel për drejtësinë për të thelluar hetimet mbi këto vepra paligjshmërie, sepse koka e kësaj afere ulëritëse nuk janë bishtat që mbahen sot në burg. Shqipëria meriton më shumë”.

Ora 13:25
Zjarri te vendgrumbullimi i mbetjeve, Policia e Elbasanit: U shua, shkak një shkëndijë e krijuar si pasojë e përbërjes së mbetjeve

Djegia e mbetjeve, sot në Elbasan

Policia e Elbasanit njofton se zjarri i rënë mëngjesin e sotëm (9 Nëntor) në fushën e mbetjeve është shuar, sikurse edhe kanë nisur hetimet paraprake.

Në njoftimin zyrtar theksohet se paraprakisht dyshohet se shkak i vatrës së zjarrit në landfill ka qenë “një shkëndijë e krijuar si pasojë e përbërjes së mbetjeve”, por pa e specifikuar teknikisht këtë reaksion. Dyshimet bien tek nxehtësia e madhe që krijohet nga vetë mbetjet, çlirimi i gazrave dhe më tej reaksioni kimik që sjell edhe zjarrin.

“Sot në mëngjes ka rënë zjarr në pikën për grumbullimin e mbetjeve, në fshatin Katund i Ri. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërkohë që shërbimet zjarrfikëse kanë bërë të mundur neutralizimin dhe shuarjen e zjarrit. Paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë nga një shkëndijë e krijuar si pasojë e përbërjes së mbetjeve. Grupi hetimor vijon të punën për të përcaktuar  shkakun e saktë të rënies së  zjarrit”, tha policia.

Zjarri shkaktoi një re të madhe tymi dhe erë të rëndë në rrethinat përreth, deri në qytetin e Elbasanit dhe Cërrikut. Opozita protestoi sot dhe akuzoi pranë vendgrumbullimit ku ndodhet inceneratori i Elbasanit, teksa reaguan edhe deputetët e PD, Xhafa dhe Sula, duke e cilësuar “metalurgjik të dytë” apo “mbytje me tym dhe kancer”.

Ora 12:37
Zjarri i Elbasanit/ Himçi: Zjarri u vu me urdhër të kryebashkiakut të Elbasanit, me qëllim vjedhjen, SPAK të hetojë! Xhafa: Metalurgjik i dytë dhe katastrofë, qeveria ka dështuar
Kreu i PD Elbasan, Himçi dhe deputeti i zonës, Xhafa, sot duke folur për situatën te fusha e mbetjeve

Zjarri në afërsi të inceneratorit të Elbasanit, në landfillin ku ndodhet vendgrumbullimi i mbetjeve, ka krijuar jo vetëm ndotje mjedisore dhe erë të padurueshme, por edhe rrezikun për jetët e banorëve që jetojnë në këtë zonë.

Në vendngjarje kanë shkuar edhe përfaqësues të opozitës lokale, kryetari i PD, Bledi Himçi, deputeti i zonës Qani Xhafa dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak. Himçi akuzoi drejtpërdrejtë kryebashkiakun Gledjan Llatja si autor dhe urdhërues të zjarrvënies, me qëllim siç tha ai, mbulimin e vjedhjeve që po ndodhin aty. Ai i kërkoi SPAK-ut që të hetojë edhe gjendjen e inceneratorit dhe zyrtarët vendorë, duke hedhur dyshime se makineria është e amortizuar dhe nuk është blerë e re, pasi punoi vetëm për 3 muaj.

“Kjo zjarrvënie është e qëllimshme, e vendosur nga vetë Bashkia Elbasan. Padiskutim është vendosur ditë të shtune, kur institucionet janë pushim, mediat janë pushim në përgjithësi, që të kishte sensibilizim sa më të pakët. U vendos në mes të natës, ku temperaturat janë më të ulëta sesa gjatë ditës, jemi në periudhë vjeshte, ku s’ka temperatura të larta. Pra jemi para një zjarrvënie të qëllimshme. Kjo zjarrvënie është caktuar me urdhër të posaçëm të kryetarit të Bashkisë Elbasan, por edhe nga instanca të tjera. Dhe që duan të mbulojnë vjedhjen që ndodh çdo ditë në incenerator, inceneratori ka punuar vetëm 3 muaj, e gjatë gjithë kohës që ne flasim kjo fushë është kthyer në venddepozitim, pra në landfill të mirëfilltë. Mali me plehra ka marrë përmasa dhe për të ulur sasinë e mbetjeve i vihet flaka”, tha Himçi.

Më tej ai kujtoi edhe shpenzimet apo paratë që harxhohen nga taksat e qytetarëve, duke kërkuar ndërhyrje dhe hetim të të gjithë përgjegjësve. Gjithashtu kujtoi se paguhet për incenerim, por aty ka vetëm landfillim (grumbullim mbetjesh)

“Sot i gjithë Elbasani është gdhirë nën ajrin toksik të këtyre mbetjeve. Askush s’ia ka për borxh, kur qytetarët elbasanas paguajnë 25 euro për ton dhe e paguajnë për incenerim, kurse këtu ka vetëm landfillim (grumbullim). Kjo është vjedhje e hapur, ku shkojnë gjithë ato lekë, ndaj digjen sot këto plehra, për të justifikuar bashkëpunimin që bëhet gjoja në emër të një inceneratori që s’punoi kurrë, inceneratori fantazëm. Sigurisht ka shumë çështje penale në SPAK për inceneratorin, por vjedhja vazhdon akoma më shumë dhe nuk është më në nivelin e vjedhjes së ministrit të atëhershëm, sot vjedhja është maksimale, ku janë përfshirë shumë e shumë njerëz. I bëj thirrje SPAK-ut të nisi një hetim kryesisht, pikërisht për këtë gjë. Situata këtu është skandaloze, jemi para një krimi mjedisor, vjedhjeje të madhe, megavjedhje që i ndodh jo vetëm bashkisë së Elbasanit, por edhe të tjerave, që edhe ato paguajnë 25 euro për tonë për incenerim, kur incenerim nuk ka”, shpjegoi kreu i PD-së.

Himçi ngriti edhe shqetësimin se inceneratori nuk ishte blerë i ri, teksa kujtoi se edhe banorët nuk dalin të progtestojnë dhe ankohen, pasi është krijuar neodiktaturë dhe kanë frikë, kurse shqetësimet e tyre të përsëritura në rrugë zyrtare janë injoruar vazhdimisht nga kryebashkiaku.

“Ne këtë çështje e kemi ngritur në çdo mbldhje të Këshillit Bashkiak, por gjithmonë ka kaluar me shmangie, me batuta nga ana e kryetarit të bashkisë, se do vihet sot, do vihet nesër në ndezje inceneratori, ka ndodhur një problem teknik. Ai duhet të ishte brenda garancive, duhet të kishte minimalisht 5 vite garanci, por prishet pikërisht 3 muaj pasi nis incenerimi. A jemi para një inceneratori të amortizuar dhe nuk është blerë i ri? Dhe kjo nuk është sqaruar as nga SPAK, as nga kryeministri Rama, a është blerë i ri ky incenerator? U ble i ri, apo i përdorur dhe u vendos këtu si një gërmadhe e madhe gjoja për incenerim, por ku ka vetëm landfillim dhe vjedhjet ndodhin dhe janë duke ndodhur. Këtu nuk ka as punonjës të bashkisë dhe as banorë të zonës, nuk i shikojmë. Aq shumë ia kanë fut frikën qytetarëve sa nuk dalin të kërkojnë të drejtat e tyre, jemi para një neodiktature”, përfundoi Himçi.

Kurse deputeti Xhafa theksoi se edhe shqetësimet e tij, si ai i ditës së djeshme në Komision ku diskutohej për buxhetin, ishin injoruar.

“Jo më larg se dje kam pasur një debat me ministren Mirela Kumbaro në Komision jo vetëm për inceneratorin e Elbasanit. Edhe për atë të Fierit dhe atë imagjinar të Tiranës. Qeveria shqiptare ka dështuar me mbetjet, sepse është vetë mbetje që duhet të largohet një orë e më parë nga qeverisja e vendit, pasi nuk ka çfarë jep më. I bëra thirrje ministres posaçërisht për këtë temë meqë kishim edhe buxhetin, që inceneratori ishte i viteve 70-të dhe dihej që kur u ble se është kthyer në një problem, në një metalurgjik të dytë për këtë zonë. Kurse ajo flet për shifra turistësh, kur po ikin këta turistët këtu. I bëj thirrje kryeministrit Rama që të gjejë zgjidhje, sepse me inceneratorët ka dështuar”, tha ligjvënësi demokrat.

Më tej propozoi që këto landfille të zhvendoseshin në vende të tjera, sepse po krijojnë katastrofa mjedisore e gjithashtu kërkoi hetime nga prokuroria për kryebashkiakun Llatja dhe administratorin e inceneratorit.

“Të gjendet vend i përshtatshëm, të hiqet që këtu apo në Fier e Elbasan, larg qendrave të banuara, siç e ka gjithë bota dhe të kthehet në landfillim, sepse këtu kemi një katastrofë mjedisore. Për më tepër që skrapata e këtij vendi është në lumin Shkumbin dhe e kam paralajmëruar disa herë një katastrofë të rëndë mjedisore. I bëj thirrje Prokurorisë së Elbasanit të hetojë, sepse këtu po ndodh vjedhje, këtu harxhohet naftë, rroga, mjete. Prokuroria të marri nën hetim kryetarin e Bashkisë së Elbasanit dhe administratorin e inceneratorit, pasi kudo ku ka punuar ai, vetëm dëme i ka sjellë Elbasanit”, përfundoi deputeti.

Ora 11:50
Deputeti Sula: Katastrofë mjedisore dhe kriminale në Elbasan! I merrni lekët qytetarëve, për t’i mbytur me tym kancerogjen 2 herë në vit

 1730306305_dashnorsula.JPG

Deputeti Dashnor Sula

Teksa fusha e mbetjeve në periferi të Elbasanit, pranë inceneratorit, po vijon të digjet dhe forcat në operacion vijojnë betejën me flakët për ta shuar, kanë ardhur edhe reagimet e para.

Është deputeti demokrat i zonës, Dashnor Sula, i cili akuzuar për “mbytjen me tym të banorëve” nëpërmjet inceneratorit të Elbasanit, duke e quajtur “katastrofë natyrore”.

Ai shkruan në një postim në rrjetin social në Facebook se “malit me plehra i është vënë sërish zjarri në Elbasan, duke shkaktuar kështu një katastrofë mjedisore”.

“Nuk mjaftojnë kompanitë private që kanë bërë me nam Shqipërinë për mbetjet toksike edhe ndërkombëtarisht, por 2 herë në vit në vendin ku qëndron inceneratori 33 milionë euro, digjen mbetjet duke ndotur në mënyrë të parikuperueshme të gjithë zonën. Kjo është kriminale! I merrni lekët qytetarëve për ti mbytur me tym kancerogjen”, thotë Sula.

Postimi i deputetit Dashnor Sula
Ora 11:18
Elbasan/ Vijon djegia në vendgrumbullimin e mbetjeve në landfillin e inceneratorit, aktivizohen edhe eskavatorët! Policia nis hetimet për shkaqet

Vijon të digjet fusha e mbetjeve në landfillin pranë inceneratorit të Elbasanit, e njohur ndryshe si vendgrumbullimi i mbetjeve.

Teksa mbetet mister shkaku i vatrës së flakëve, gazetari i Report TV, Ronaldo Gjoshi, u shpreh se forcat zjarrfikëse vijojnë të punojnë me intensitet për shuarjen, por reja e tymit vijon të shpërndahet jo vetëm në Bradashesh, katundi i Ri dhe Papër e Cërrik, por edhe drejt Elbasanit.

Në vendngjarje punohet me industri të rëndë, si makineritë e eskavatorëve e fadromave për të hedhur dhe mbi vatrën e zjarrit për ta shuar, teksa era që lëshohet në atmosferë është e rëndë dhe kërcënuese për banorët dhe të gjithë popullatën e Elbasanit.

Kjo është hera e dytë brenda vitit që fusha e mbetjeve merr flakë në rrethana të panjohura. Policia e Elbasanit ndodhet në vendngjarje dhe mësohet se ka nisur hetimet për ta zbardhur shkakun nëse është zjarrvënie e qëllimtë apo aksidentale. Një grup hetimor ndodhet në zonën e landfillit dhe po kryen veprimet e nevojshme.

Në vendngjarje shkuan edhe zyrtarë lokalë, si kryebashkiaku Llatja, deputeti i zonës Xhafa, kreu i PD, Himçi dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak.

Hyrja e landfillit të mbetjeve në Elbasan
A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?