Elbasan- Një 44-vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit pasi në gjendje të dehur përplasi me makinë një këmbësor dhe një mjet bujqësor të parkuar dhe u largua nga vendngjarja. Në pranga ka rënë edhe pasagjeri, 55 vjeç, për shkak se nuk kallëzoi incidentin.
Ngjarja u regjistrua në fshatin Tregan, pasditen e djeshme, 6 shkurt.
Sipas njoftimit të bluve 56-vjeçari i plagosur, ndodhet në Spitalin e Traumës.
Ndërkohë policia bën me dije se ka sekuestruar automjetin e 44-vjeçarit, i përfshirë në aksident.
Njoftimi i policisë
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore, të kryera menjëherë pas aksidentit rrugor të ndodhur pasditën e djeshme, në fshatin Tregan, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, shtetasin F. P., 44 vjeç.
Nga veprimet e deritanishme dyshohet se me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, 44-vjeçari ka përplasur këmbësorin, shtetasin F. K., 56 vjeç, dhe 1 mjet bujqësor të parkuar, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. 56-vjeçari aktualisht është në kujdesin e mjekëve, në Spitalin e Traumës.
Në vijim të këtyre veprimeve, u vu në pranga, për moskallëzim të krimit, shtetasi A. B., 55 vjeç, pasagjer në automjetin e 44-vjeçarit, në momentin e aksidentit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.
Komente
