Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kërkon dënimin me burg përjetë për burrin që vrau bashkëjetuesen e tij në banesë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 korrik 2022 në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, në banesën që çifti kishte marrë me qera.
Jetlira Elezi, 37-vjeçe u vra me thikë nga bashkëshorti i saj Ramis Mici
Pronarët e banesës ishin të parët që gjetën Jetlira Elezi, 37-vjeçe të pajetë në mes të dhomës dhe të vrarë me thikë.
Sipas pronarit Xhafer Zdrava, dhoma e gjumit ishte e mbushur me gjak, ndërsa 37-vjeçarja ishte gjetur e vdekur në afërsi të dhomës së ndenjës.
Prokurori i çështjes Xhelian Seferi kërkoi që Ramis Mici të shpallet fajtor për akuzën “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” parashikuar nga neni 79/c i K.Penal, duke kërkuar përfundimisht dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Të dy vinin nga martesa të cilat kishin përfunduar në divorc dhe kishin nga dy fëmijë nga lidhjet e mëparshme. Jetlira mbante një nga fëmijët e saj, vajzën, ndërsa fëmijët e Ramisit ishin me ish bashkëshorten.
Autori ishte nga fshati Selitë në Mollas, ndërsa viktima nga një fshat i Belshit.