Elbasan- Shpërthimi i dyshuar aksidental i një bombole gazi në Elbasan, shkaktoi dëme të shumta materiale në apartamentin e katit të tretë të një pallati.
Për fat të mirë nuk raportohet për të lënduar. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30, në lagjen “Visarjon Xhuvani”.
Policia vendore nisi hetimet dhe bëri me dije se nga hetimet paraprake dyshohet se “për shkak të shpërthimit të një bombole gazi, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit F. K., 60 vjeç, në katin e tretë të një pallati”.
Nga përhapja e flakëve janë shkaktuar dëme materiale në njërën prej dhomave të banesës. Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit.