ELBASAN - Një 59 vjeçar është arrestuar në Elbasan pasi akuzohet se organizonte trafikimin e armëve drejt Maqedonisë së Veriut dhe falsifikimin e dokumenteve. Në pranga kanë rënë dhe dy bashkëpunëtorët e tij.
Në kuadër të operacionit të koduar “Organizatori’ u arrestuan Elban Coniku, Dhimitër Peqini dhe Artan Lila ndërsa janë sekuestruar 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarakë, një granatë defensive dhe 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara
Ky operacion u realizua pas një hetimi 4-mujor nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Elbasanit.
Si rezultat i operacionit, janë arrestuar shtetasit Dhimitër Peqini, 59 vjeç, banues në Elbasan, i cili akuzohet për organizimin e trafikimit të armëve dhe falsifikimit të dokumenteve, si dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Elban Coniku, 52 vjeç, banues në Gramsh, dhe Artan Lila, 47 vjeç, banues në Elbasan.
Gjatë operacionit, në banesën e 47-vjeçarit janë gjetur dhe sekuestruar 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara, përfshirë dokumente shqiptare, bullgare dhe maqedonase, si dhe pajisje që shërbenin për falsifikimin e këtyre dokumenteve. Po ashtu, gjatë një kontrolli në fshatin Çekin, Gramsh, janë sekuestruar 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë dhe një granatë që do të trafikonin drejt Maqedonisë së Veriut, informoi sot policia e Elbasanit
Hetimet vazhdojnë për të identifikuar dhe ndaluar shtetas të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Komente
