Elbasan- Gjykata e Elbasanit liroi sot me ‘detyrim paraqitjeje’ Denis Hasallën dhe Bledar Çullhajn, dy personat e arrestuar gjatë operacionit të prokurorisë dhe kontrolleve të kryera në banesat e tyre, në kuadër të hetimeve për inceneratorin.
Denis Hasalla, vëllai i deputetit Sajmir Hasalla, mban detyrën e drejtorit të kabinetit në Bashkinë Peqin, ndërsa bashkëshortja e Bledar Çullhajt po ashtu kishte funksion në këtë bashki.
Gjykata vlerësoi të ligjshme ndalimet e tyre, por vendosi që të lehtësonte masën dhe pranoi kërkesën e prokurorisë, e cila kërkoi detyrim paraqitje.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova që të arrestuarit kanë konsumuar elementet e veprave penale të sipërcituara. Nuk ka shkaqe padënueshmërie lidhur me moshën dhe përgjegjshmërinë e të arrestuarit si dhe nuk ka shkaqe të shuarjes së veprës penale. Ekziston rreziku që personat nën hetim t’i shmangen hetimit”, thuhet mes të tjerash në vendimin e marrë nga gjykata.
Operacioni u zhvillua më 17 korrik nga Prokuroria dhe Policia. Në banesa u gjet municion luftarak, gjatë një kontrolli të autorizuar nga gjykata. Hasalla është nën hetim për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet e shoqërisë “Eco-ELB”. Në të njëjtën dosje jane dhe 13 zyrtarë te tjere, të 7 bashkive në qarkun e Elbasanit.
Komente
