Elbasan- Plaçkiste punonjëset e spitalit të Elbasani, arrestohet 40-vjeçari i dyshuar.
Policia vendore bëri sot me dije se ka zbardhur 4 vjedhje në seri të ndodhura më 11-12 qershor, ku një prej ngjarjeve është bastisja e një dyqani ku janë marrë edhe pajisje elektronike.
I arrestuari rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale, ndërsa i janë gjetuar në një banesë të braktisur pajisjet e vjedhura. Kamerat e sigurisë së dyqanit e kanë tradhtuar të dyshuarin, nëpërmjet të cilave policia bëri edhe zbardhjen e krimeve në seri.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimeve të 4 qytetarëve, për vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në kuadër të operacionit “Skeda”, identifikuan, lokalizuan dhe kapën autorin e dyshuar të këtyre rasteve, shtetasin A. Ç. alias A. B., 40 vjeç, banues në Elbasan”, tha policia vendore.
Nga hetimet e kryera rezulton se gjatë natës së 11 qershorit, në spitalin rajonal të Elbasanit, ka vjedhur shuma parash, në çantat e 3 punonjëseve, kurse rreth mesnatës së datës 12, pasi ka thyer derën e një dyqani në lagjen “Sul Paprri”, ka vjedhur aty pajisje elektronike, të cilat u gjetën nga shërbimet e Policisë, në një banesë të braktisur, në të njëjtën lagje.
“Vijojnë hetime për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 40-vjeçari. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, sqaroi policia.
Komente
