Pas situatës së shkaktuar nga zjarri në landfillin e Elbasanit në fillim të muajit korrik, këshilli bashkiak i Elbasanit ka thirrur në interpelancë drejtuesit e kompanisë ECO ELB mbi situatën e shkaktuar nga ndotja.
Këshilltarët kërkuan informacion të detajuar mbi shkaqet e zjarrit, si dhe për arsyet e mosfunksionimit të inceneratorit, i cili ndodhet aktualisht jashtë pune dhe nën hetim. Administratori i ECO ELB, Leli Kaja, në përgjigje të pyetjeve të këshilltarëve, u shpreh se situata është kritike dhe se kapacitetet e landfillit janë tejkaluar.
Kaja tha gjithashtu se ka bërë vazhdimisht shkresa drejtuar institucioneve qendrore dhe ministrive për të kërkuar zgjidhje, por deri më tani pa rezultat. Ai kritikoi edhe mungesën e bashkëpunimit politik në nivel lokal.
Për herë të parë, këshilltarët e të dyja krahëve politikë dolën me një qëndrim të unifikuar, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për krizën mjedisore në Elbasan.
Ndërkohë, sa i takon propozimit të opozitës për ndërtimin e një landfilli në dampën e Paprit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u përgjigj se një gjë e tillë nuk është e mundur për të paktën 1-2 vite. Aktualisht sheh si zgjidhje afatshkurtër zgjerimin e kapacitetit të landfillit aktual.
Kujtojmë se javën e shkuar Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me policinë, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Elbasanit, ushtroi 14 kontrolle në banesat e personave që dyshohet se kanë lidhje me këtë çështje, mes tyre banesa e drejtorit të landfillit Leli Kaja, 7 drejtuesit teknik të secilës bashki të qarkut dhe mbikëqyrësit të kontratës së inceneratorit, si dhe arrestoi dy persona.
Veprimet janë ndërmarrë në kuadër të procedimit penal të vitit 2024, i cili është regjistruar fillimisht për veprën penale të “zjarrvënies”, pasi fusha e mbetjeve urbane në Elbasan u përfshi nga flakët asokohe, por në vijim hetimi ka avancuar duke i shtuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Keqmenaxhimi i mbetjeve”.
Komente
