Tiranë- Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, është ankuar në Apelin me Juridiksion të Përgjithshëm për vendimin e Gjykatës së Elbasanit, që i rrëzoi vendimin për lirim para kohe.
Mbrojtësi ligjor Përparim Kulluri, kërkoi nga gjykata caktimin e ekspertëve që të përcaktojnë gjendjen shëndetësore të klientit të tij, kërkesë e cila u pranua nga trupa e gjykimit.
Në seancën e radhës të datës 12 maj, në Apel pritet të paraqiten ekspertët dhe t’i paraqesin gjykatës konkluzionet e aktit në rast se ish-kryebashkiaku socialist është apo jo në gjendje të marrë trajtim të nevojshëm mjekësor në kushtet e burgut, apo nëse i rrezikohet jeta nga qëndrimi në qeli.
Safet Gjici është dënuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv nga Apeli i GJKKO.
Ai u arrestua në muajin qershor të vitit 2023 dhe u dënua përfundimisht nga Apeli i Posaçëm në muajin qershor të këtij viti me 4 vite e 6 muaj burg, dënim i cili u reduktua në 3 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Gjici pretendonte lirimin e parakohshëm për shkak të problemeve shëndetësore, komplikacione me diabetin dhe zemrën, teksa u trajtua edhe në spital. Në muajin tetor 2024 ai dorëzoi kërkesën në Gjykatën e Elbasanit për lirim të parakohshëm nga qelia.
Gjici u dënua pas aferës seksuale në zyrë, me Alma K., edhe kjo e dënuar nga Apeli i GJKKO me formë të prerë.
Më 24 Qershor të vitit të kaluar, Apeli i GJKKO rriti në 4 vite e 6 muaj burg me formë të prerë dënimin ndaj tij, teksa ishte arrestuar më 24 qershor të vitit 2023.
Apeli i Posaçëm ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, që e kishte dënuar Gjicin me 3 vite burg për shpërdorim detyre, për veprën penale të “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Komente
