Elbasani mbi 3000 prenotime për natën e ndërrimit viteve! Fshati turistik i Gjinarit, destinacioni kryesor i të huajve! Surprizat që priten natën e sotme

31 Dhjetor 2022, 19:36| Përditesimi: 31 Dhjetor 2022, 19:41

  • Share

ELBASAN- Dekoruar me ngjyrat dhe dritat festive, Elbasani pret me qindra vizitorë që u bashkohen vendasve në sheshin pranë kalasë. Grupi i mirënjohur i rokut “Tre muskëtierët”, dhuroi spektakël mbrëmjen e 30 dhjetorit.  Të tjera supriza janë rezervuar nga bashkia për natën e ndërrimit të viteve.

“Kemi një koncert rinor, do performojnë disa DJ më datë 31 dhjetor. Sonte, më 30 dhjetor kemi koncertin me këngëtarët e njohur, Elton Deda, Aleksandër Gjoka dhe Redon Makashi. Do ketë disa aktivitete për fëmijë dhe në fund spektakli i fishekzjarreve”, u shpreh  Klinsi Lala, drejtor i Qendrës së Artit dhe Kulturës në Elbasan.

Sa i përket rezervimeve në hotele e bujtina ka pasur një rritje krahasuar me vitet e kaluar si nga vendasit ashtu dhe nga të huajt.

“I pari është Gjinari për shkak të klimës, po zhvillohet dhe zona e Funarit dhe Labinot Fushë. Por edhe hotelet në qendër përreth Kalasë janë plot për natën e Vitit të Ri. Nga të dhënat që kemi deri tani, 3 mijë prenotime në total, ose ndryshe treçereku i hoteleve e bujtinave janë të rezervuara për natën e ndërrimit të vitit në gjithë territorin e Bashkisë së Elbasanit”, vijoi Lala.

Jo rastësisht Gjinari, është destinacioni kryesor i turistëve që e kanë zgjedhur për të kaluar festat. Peizazhit mbresëlënës dhe ajrit të pastër i shtohet kuzhina tradicionale dhe mikpritja e vendasve.  

“Për Krishtlindje dhe Vit të Ri ne jemi të rezervuar. Kemi një familje që vjen nga jashtë vendit. Veç nesh, në dijeninë time dhe bujtinat e tjera janë të rezervuara”, tha Petrit Mufali, pronar i njërës prej bujtinave.  

Pylli i dendur me pisha, pllaja e gjelbër edhe në dhjetor e bëjnë Gjinarin një vend ideal për të apasionuar pas ecjeve në shtigje malore.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?