Ujësjellës-Kanalizimet e Elbasanit

Sociale

Problemet me ujin e pijshëm, Ujësjellësi i Elbasanit apel qytetarëve: Mos e shpërdoroni gjatë verës, shkelësit do ndëshkohen

12 Qershor, 15:40| Përditesimi: 12 Qershor, 18:24

  • Share

Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Elbasanit apelon ndaj qytetarëve që të mos e shpërdorojnë ujin gjatë sezonit veror, ku rritja e temperaturave ndikon edhe në furnizimin e rrjetit për abonentët.

Me një noftim zyrtar të lëshuar sot (12 qershor), u kërkohet qytetarëve që ta përdorin me kujdes ujin e pijshëm dhe të shmangin çdo formë të abuzimit të tij.

Ndërmarrja paralajmëron gjithashtu edhe rastet e abuzimit si në larje rrugësh, makina, oborre dhe deri te lidhjet e paligjshme.

Për këto të fundit, Ujësjellësi njoftoi se ka vendosur në funksion një detektor të specializuar me kamera për t’i zbuluar paligjshmëritë në rrjet.

Kurse në terren, do të operojë Task-Forca me anë të kontrolleve dhe masave ndëshkimore në gjoba, nga ndërprerja e furnizimit, deri tek procedimi.

Njoftimi i plotë i Ujësjellës-Kanalizimeve Elbasan:

Të nderuar qytetarë të Elbasanit,

Duke u afruar periudha e temperaturave të larta dhe ndërhyrjeve teknike që po kryhen aktualisht në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm, kryesisht në depon e ujit, Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Elbasan ju bën thirrje të gjithë banorëve që të përdorin me kujdes ujin e pijshëm dhe të shmangin çdo formë të shpërdorimit të tij.

Shpërdorimi i ujit, përfshirë:

– përdorimin për larje rrugësh, makina, oborre,

– lidhjet e paligjshme,

– keqpërdorimin e pikave të ujësjellësit,

përbën shkelje dhe ndëshkohet në përputhje me ligjin nr. 8102, datë 28.03.1996 “Për rregullimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe largimin e ujërave të ndotura”, i ndryshuar, si dhe aktet nënligjore në fuqi.

Gjithashtu, shpërdorimi i ujit ndikon drejtpërdrejt në furnizimin me ujë për katet e sipërme të pallateve, duke shkaktuar mungesa dhe ndërprerje për qytetarët që jetojnë atje.

Ekipet e kontrollit në terren (Task-Forca) do të evidentojnë çdo rast abuzimi dhe do të marrin masa administrative dhe ligjore, deri në ndërprerjen e shërbimit dhe ndëshkime me gjoba, sipas përcaktimeve të rregullores së shërbimit. Përveç kësaj, Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Elbasan ka vendosur në funksion një detektor të specializuar me kamera për të zbuluar lidhjet e paligjshme në rrjet.

Ky njoftim vjen në funksion të garantimit të furnizimit të rregullt për të gjithë qytetarët në kushtet e motit të nxehtë dhe mbrojtjes së resurseve ujore. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj!”.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?