Duke parë se një pjesë e qytetarëve nuk po respektojnë distancën e duhur nga njëri-tjetri gjatë kryerjes së pazareve është parë e nevojshme ndërhyrja nga vetë pushteti vendor për të vendosur pikat e verdha ku çdo qytetar duhet të qëndrojë.
Pas tregut të Kombinatit në Tiranë edhe Bashkia e Elbasanit ka vendosur pikat e verdha orientuese për qytetarët që të ruajnë distancën sociale mes tyre për të mos rrezikuar përhapjen e koronavirusit.
Para farmacive, bankave dhe dyqaneve që ofrojnë shërbime të ndryshme në Elbasan, janë vendosur pikat e verdha në distancën që duhet mes qytetarëve. Kjo situatë e re lufte për vendin është sa e rrezikshme dhe ironike, për faktin se nëse deri dje vetëm automjetet mund të plagosnin e vrisnin njerëz, sot edhe këmbësorët janë rrezik për njëri-tjetrin.
Kjo u përgëzua dhe nga kryeministri Rama, i cili theksoi se do të jetë standardi në çdo qytet dhe biznes që ofron shërbimet e tij në kohën e luftës, ndërsa paralajmëroi se nëse nuk respektohen do të ketë masa ndëshkimore.
"Pikat e verdha do të bëhen si vijat e bardha a si semaforët, me detyrimin për t'i respektuar të gjithë dhe masat ndëshkimore për shkeljen e tyre", shkruan Rama.
Deri kur bota të rikthehet në normalitet, të gjithë njerëzve u duhet të bashkëjetojnë me rregulla që deri dje as nuk i kishin imagjinuar.
Lajmi kryesor:
Rregullat e reja disiplinojnë qytetarët! Në tregun e Kombinatit blerjet me autorizim, doreza, maska dhe dezinfektim (VIDEO)
I.K/ReportTv.al