SHKODËR- Nata e dytë e festivalit të gastronomisë "Shkodra International Food Event" u ndoq me interes nga qytetarët dhe turistës që ndodhen në Shkodër për pushime. Dy nga emrat e njohur në Itali dhe arenën ndërkombëtare, shefi i kuzhinës Carlo Zarri dhe kritiku i njohur Edoardo Raspelli ju bashkuan këtij festivali.
Festivali i ushqimeve dhe pijeve e transformoi sheshin para bashkisë në një merkatë të madhe ku serviren pjatat dhe gatimet më të mira të restoranteve të qytetit si dhe produktet lokale të zonës.
Pjesëmarrja e disa prej bizneseve që operojnë në qytet në fushën e gastronomisë solli interesin e qytetarëve për t'u njohur nga afër me to por edhe për provuar shijen e gatimeve bio.
Pasi ka gatuar për emrat e mëdhenj botëror si Sophia Loren, Michelle Obama, Armani, Ferrari etj, Carlo Zarri nga Piemonte gjendet në Shkodër, në këtë këtë event që e ka kthyer qytetin në epiqendër të pasqyrimit të shijes, elegancës dhe traditave më të mira të saj.
"Jemi vërtetë shumë të mahnitur. Që kurse u njohëm me organizimin rreth një muaj më parë kuptuam që ky do të ishte një organizim perfekt. Jam gjithashtu i gëzuar që arrita të njohë disa djem të rinj të talentuar të qytetit tuaj në fushën e gastronomisë që ja shtojnë edhe më shumë vlerën kuzhineës së zonës dhe kjo për mendimin tim është një mundësi e shkëlqyer për të ardhmen e këtyre të rinjve në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë", u shpreh Shefi i Kuzhinës, Carlo Zarri.
Edoardo Raspelli u kujdes të evidentojë njohjen me shqiptarët dhe shembujt frymëzues se si ata duan ta ndryshojnë vendin e tyre.
"Ky festival për mua ishte një surprizë dhe sadisfaksion i madh. Unë kam shkruar për shumë vite me radhë ne blogun tim rreth kulinarisë dhe traditës së gatimit të restoranteve italiane. Kam patur mundësi te vizitoj dy te tilla me bazë peshku në qytetin tuaj dhe kam mbetur shume i kënaqur dhe mbi të gjitha nga historia e dy shefave te kuzhinës te cilët bartnin një histori emigrimi prej 16-17 vitesh në Itali dhe kishin arritur jo vetëm ta mësonin ketë art, por ta perfeksiononin gatimin me produktet e zonës", u shpreh publicisti Edoardo Raspelli.
Ky festival synon promovimin e vlerave gastronomike por dhe të resurseve e bukurive natyrore të Shkodrës.
Në orët e mbrëmjes festës ju shtua muzika, ku artistët performuan deri në orët e vona duke mbushur sheshin me qytetarë e turistë.
“Synimi ynë nëpërmjet këtij promovimi është të stimulojmë ekonominë e bashkisë dhe të nxjerrim në sipërfaqe vlerat dhe mundësitë e jashtëzakonshme që ofron. Ne duhet ta kthejmë Shkodrën në shkëlqimin që i takon, si një pikë referimi jo vetëm kombëtare, por dhe rajonale dhe ndërkombëtare”, u shpreh Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia.