TIRANË- Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike sipas Ibsen Elezit nuk ishte transparent, ashtu siç pretendon Sali Berisha, por votat u manipuluan. I ftuar në Report Tv, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar akuzoi Berishën se votat për anëtarët e zgjedhur nuk u bënë transparente.
Elezi mbajti një fjalim kurajoz në Kuvendin e 30 Prillit, por sërish nuk mori besimin dhe mbështetjen e delegatëve për një vend në Këshillin Kombëtar. Ndonëse nuk u zgjodh, ai theksoi se ende nuk e di sesa vota ka marrë në Kuvendin e 30 prillit të Komisionit të Rithemelimit. Në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Elezi tha se zgjedhja e 28.5% të anëtarëve të Këshillit nga Tropoja tregon se gara nuk ishte transparente, pasi anëtarët nuk janë ndarë në mënyrë racionale në të gjitha qarqet.
“Ajo që e mbështet atë është se këto shpallen listat pa pasur numrin e votave dhe akoma nuk e kanë shpall listën me numrin e votave. Lisa ku janë 150 fituesit duhet të kenë dhe numrin e votave për shembull unë nuk e di sa u votova dhe për sa mund të isha te pragu i fitores, pra nuk është procesi transparent si thotë doktori. Nuk e kam te përmbajtja e kam te fenomeni, se në Tropojë janë 90 persona që janë pjesë e një rrethi familjar”, tha Elezi në Report Tv.
22 majin, ditën që Berisha ka shpallur për zgjedhjen e kryetarit të ri, Elezi e cilësoi si fasadë pasi nuk ka kohë të mjaftueshme për kandidatët për të bërë fushatë në 80 degë. Ai tha se gara me Sali Berishën është e pabarabartë.
“Berisha thotë unë do të kandidoj me 22 Maj, kandidaturat do të përfundojnë deri me 7 Maj. Nga 7 deri më 22 janë 15 ditë, çfarë po bën zoti Berisha atë që ne u bëmë copë me zotin Basha, 15 ditë nuk mund të flasësh me 80 degë. Nga primaret që premtoj nuk të lë kohë të mjaftueshme të shkosh e të flasësh me demokratët dhe ky është problemi i Sali Berishës nuk është kandidati përballë, është problemi se po mashtron kuvendin e datës 11 Dhjetor, ata nuk e ngritën në këmbë Sali Berishën për tu tallë me të gjithë ne. Lideri e mban fjalën, ky ka 3 muaj që bën fushatë se foltoret fushatë janë dhe thotë hajde kandidoni me 22 Maj, i thotë një kandidati hajde më mund mu, si mund të mund unë ty, gara e barabartë me rregulla të barabarta është një detyrim statutor”, tha Elezi.
Ai hodhi akuza të forta dhe ndaj deputetëve Albana Vokshi, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Belind Këlliçi të cilët i akuzoi si manipuatorë të votave që përdoren njëherë nga Lulzim Basha dhe njëherë nga Berisha për të vjedhur dhe manipuluar proceset zgjedhore në parti.
“Berisha për ta bërë këtë proces të besueshëm mos të leje Albanen, Flamurin e këto por të bëjë një komision me integritet”, tha Elezi.
Komisioni i Rithemelimit i ka lënë 4 ditë afat të gjithë atyre që duan të kandidojnë për kreun e PD, për të shpallur kandidaturën e tyre. Sipas njoftimit, afati i paraqitjes së kandidaturave për Kryetar të PD përfundon të shtunën në 7 maj, ora 12:00. Berisha ka shpallur zyrtarisht kandidaturën sot, ndërsa në media, dëshirën për të kandiduar për kreun e PD e ka shprehur edhe Fatbardh Kadilli, i vetmi kritik i mbetur në PD e drejtuar nga Rithemelimi dhe Edvin Kulluri.