Partizani u eliminua nga Conference League, duke qenë shumë pranë grupeve të këtij kompeticioni. Barazimi 1-1 me Astanën në "Elbasan Arena" bëri që kazakët të merrnin biletën për më tej, ndërsa kampionët e Shqipërisë do duhet të provojnë sërish, këtë herë duke bërë mirë në kampionat.
Në lidhje me paraqitjet evropiane dhe një verë të nxehtë e të ngjeshur, nisur kjo si fillim në Champions League, presidenti i të kuqve, Gazmend Demi tha për faqen e klubit se pa ekipin që donte, duke pasur kritika për UEFA-n.
"Në këtë fund të aventurës evropiane të klubit tonë doja të falenderoja fillimisht tifozët që nuk na lanë kurrë vetëm këto muaj të nxehtë…Falenderim të madh për skuadrën, të gjithë çunat një e nga një, trajnerin Zekič, drejtorin sportiv Abilaliaj, stafin teknik, magazinierë e fizioterapistë, patjetër edhe administratën e klubit, që nga punëtori i fushës Ladi, e deri tek drejtori i Përgjithshëm Olsi Rama, për punën e palodhur në këtë aventurë evropiane", tha Demi për faqen e klubit.
Më pas kreu i Partizanit tregon se pa ekipin që donte, ndërsa pati edhe kritika në adresë të UEFA, kjo sa i takon arbitrave të zgjedhur për ndeshjet e kampionëve të Shqipërisë. Dukshëm Demi ia faturon arbitrimit eliminimin nga Conference League.
"Largohemi me kokën lart duke fituar renditje dhe koefiçentë të rëndësishëm në UEFA, por duke fituar edhe eksperiencë dhe lojtarë të rinj që do të na shërbejnë në rrugëtimin tonë. Ndaj Astanas unë pashë Partizanin që dua. Nuk dua të gjej kurrë alibi, por arbitrimi në këto nivele duhet të jetë më serioz dhe UEFA nuk mund ta trajtoj më Shqipërinë si vend të dorës së tretë… Gjithësesi shikojmë përpara… Na pret një tjetër sezon i gjatë dhe i vështirë. Suksese të gjjthëve! Forca Partizani", mbylli fjalën e tij Demi.