Trajneri i Dinamos Ilir Daja

Sport

Eliminuan Vllazninë, trajneri Daja për Report TV: I lumtur që Dinamo shkoi në finale pas 15 vitesh! Brdaric: Kampionati objektivi ynë

24 Prill, 12:48| Përditesimi: 24 Prill, 12:52

  • Share

Egnatia mban fjalën. Rrogozhinasit, të cilët premtuan përmbysjen para gjysmëfinales së kthimit ndaj Partizanit, ia arritën që fitonin 0-1 brenda 90 minutave dhe ta dërgojnë ndeshjen në shtesë. Kohën e rregullt në Arenën e Demave e vulosi goli i Xhemajlit, i cili barazoi disfatën e pësuar 2 javë më parë nga të kuqtë në Rrogozhinë. Në shtesë, ishte Guindo ai i cili realizoi golin e dytë dhe të kualifikimit, që e dërgoi Egnatian për të 3 sezonin me rradhë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Ndërkohë për Partizanin kjo disfatë ishte tepër e rëndë, pasi të kuqtë ka shumë të ngjarë të humbin edhe ‘final-four’. Nëse nuk luftojnë për kampionat, eliminimi nga kupa ishte mundësia e fundit për të shkuar edhe në Evropë.

Sa i takon finales Egnatia do të gjejë përballë Dinamon. “Nëndetësja”, pas 15 vitesh siguroi kualifikimin, duke eliminuar 4-3 Vllazninë pas gjysmëfinales së parë që kishte përfunduar 0-0. Në Elbasan Arena të besuarit e Ilir Dajës në një moment po udhëhiqnin 4-0, por shkodranët reguan fort duke e çuar rezultatin deri në 4-3.

“Në fund fare nuk ka rëndësi rezultati, por as kalimi në finale nëse nuk lufton deri në fund fare. Kishim një ekip shumë të forta si Vllaznia. Ndeshjet kanë qenë gjithmonë me rivalitet. Kalimi në finale më gëzon për faktin se ky objektiv arrihet pas një dekade e gjysëm. Madje siguroi edhe kulimin në Evropë,”-u shpreh Ilir Daja, trajner i Dinamos.

Ashtu si Ilir Daja, edhe trajneri i Vllaznisë Thomas Brdaric, për mikrofonin e Report TV tregoi përshtypjet e gjysmëfinales.

“Kryesorja për ne është të fitojmë kampionatin. Kjo sot ishte një ditë e keqe për ne, por do të shërbejë si eksperiencë. E përsëris që duam të fitojmë kampionatin dhe mundësitë për këtë i kemi,”-tha Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë.

Finalja e Kupës së Shqipërisë mes Egnatias dhe Dinamos do të luhet më 1 maj në Arenën Kombëtare.

Ne.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?