At Zef Pllumi

Elisa Spiropali: 16 vjet pa At Zef Pllumin

26 Shtator 2023, 10:39| Përditesimi: 26 Shtator 2023, 10:40

  • Share

Oktavio Paz thoshte se një komb prishet, kur prishet ligjërimi i tij. At Zef Pllumi është ndër personalitetet e mëdha me një ndihmesë të jashtëzakonshme që kombi ynë të jetë sa më i fortë e i denjë, e këtë e ka bërë me shembullin e me ligjërimin e tij.

Ai, si bashkëvellezërit e tij meshtarë, përbëjnë atë “kordon ombelikal” që siç e shpjegon bukur Kadareja te “Dante i pashmangshëm”, ka kontribuar për ta mbajtur lidhur Shqipërinë me Europën. Këtë përpjekje për një ndërlidhje sa më të fortë të kulturës shqiptare me atë perëndimore, At Zefi e ka shprehur: “Nigjo Ismail, historia jonë është një histori llogoresh, sot unë e ti gjindna bashkë në të njajtën llogore në mbrojtje të kulturës dhe përkatësisë evropiane të shqiptarëve dhe e kam për nder.”

Kjo tendencë e kulturës shqiptare drejt asaj europiane nuk mund të ishte “fetare” si e tillë, por natyrale e kombit, ndaj At Zefi, në veprën e tij monumentale “Rrno për me tregue” e ka shtjelluar faktin se të trija fetë në Shqipëri, dashurinë për Zotin e kanë përkthyer në një model të përkryer të dashurisë për kombin e për njeriun. Dëshmitë e tij për miqësitë me imamët e burgosur janë ndër faqet më te bukura të memuaristikës shqiptare.

E gjithë publicistika e At Zefit është një epope e kërkimit të lirisë. Në tre vëllimet dëshmohet lufta e tij shpirtërore për lirinë jo vetëm si koncept vetjak por sidomos për njeriun si të tillë e mbi themelin e saj hyjnor e njerëzor.

Paqja nuk vjen me dhunë e as me hakmarrje por me drejtësi e falje – predikoi deri në fund të jetës tokësore Frati.

Ka shume “politikë”, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale, në publicistikën e Fratit e nuk mund të ishte ndryshe. Kisha Katolike e ndalon përfshirjen direkte ne politikë të meshtarëve, por ai nuk mund të ishte indiferent me vokacionin e tij dhe me dramën e tij: ishte në burg për 28 vite me akuzë politike.

Politika kishte hyrë thellë në ndërgjegjën e tij herë si monstër dënuese, e pas rënies së komunizmit si mjet lirie e dinjiteti, kur ajo ka misionarët e duhur. Nuk hezitoi kurrë të kritikojë ashpër politikanët, e sidomos ish-komunistët e betuar që bënin be e rrufe për demokracinë. Për politikanët që e ruajnë si thesar në mbamendjen tonë politike e shpirtërore ka për të mbetur përherë si udhërrëfyes në ecjen tonë politike që hera herës është aq e vështire e plot mëdyshje.

Në fund një kujtesë për atë çka u dhuroi disa politikanëve e intelektualëve - Miqësinë e Tij. Miqësia në kontekstin kulturor shqiptar ka patur njëfarë ngjashmërie me të koncepturit antik të kësaj ndjenje: ajo ishte ndër afritë e dashamirësitë më të plota të dashurisë njerëzore dhe një shkollë virtyti. Janë të shumta rastet në trashëgiminë gojore dhe të shkruar mbi vlerën sipërore që kultura shqiptare i ka dhënë miqësisë. Madje më ngjan sikur në shqip tejshquhet barazvlefshmëria midis mikut si i tillë dhe atij që shkon si bujtës te shtëpia e dikujt e që emërtohet prapë me fjalën “mik”!

Frati mbetet një mik i ndërgjegjeve tona, udhërrëfyes e kritik i tyre.

Sa herë mendoj me kureshtje e admirim për atë Frat të jashtëzakonshëm, më duket sikur rrathët e ferrit kanë lënë shenja në palat e veladonit të tij. Qofshin ato dhimbje e sakrifica thesar i madh për një rilindje të plotë shpirtërore të shqiptarëve.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dhora: 26/09/2023 14:41

    Dhe te perdhose kujtimin nje pinjolle e trashegimise se kuqe enveriste deshmon qe arroganca dhe korruptimi jane ne nje shkalle esktreme si jo me pare.

    Përgjigju
    • Tirana: 26/09/2023 18:23

      Po si nuk ju del nje ashkel o budallej te Saliut ! Po kush jeni ju qe gjoja mbroni At Zefin nga persekutoret sipas jush, por qe ne fakt ne ruge tinzare beni politiken e qelbur te Saliut. Per me keq shpreh xhelozine egoiste te nje femre , qe nuk arin egon e saj dhe urren ate qe ka sukses….!!!

  • ADD: 26/09/2023 12:28

    Se mor vesh si i jepni hapsirë me shkrime ktyre gjakpirsave të Atdheut.Ofendoni At Zefin por edhe të gjithë Shqiptarët. Nji ndër njerzit më të përlym me vjedhje e korrupsion del e shkru për njerëz të paqes. Paradoks SHQIPTAR dihet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?