Opinion

Eljan Tanini: Kush e shkatërroi Uzinën Mekanike të Naftës në Patos?

23 Prill, 21:34| Përditesimi: 23 Prill, 22:38

  • Share

Sot nuk lëshon dot më as zhurma, por në çdo pllakë betoni dhe tulle ka një kujtim, mbetur në tempull laik pa shenja feje, por me shenjën e nderit! Sot punojnë shumë pak punëtorë sa për të mbajtur disa nevoja të naftës në Shqipëri. 

Çfarë nuk e tha dot në kamera po e përshkruaj unë me ndjesi postum. Të dielën që lamë pas u shfaq në Report Tv përmes Amarcord, Uzina Mekanike e Naftës së Patosit. Në Google nuk është se ka shumë info dhe foto, prandaj ndër të tjera përpara se të shkonte qameti i qameteve, vendosa të dokumentoj atë që pashë me zë e figurë: humbjen e zemrës së saj ekonomike dhe industriale.

Shqipëria kishte një kohë kur fjala “uzinë” ishte ngjyrim dashurie për jetën, për punën, si dashnitë që nuk kanë as fotografi, as statuse, por mbijetojnë mirë mes tyre!

Duket se këtu në uzinë dilje në punë me dritën e parë dhe ngryseshe me agimin e parë, ktheheshe me një copë lodhje që të bënte njeri më të plotë, mbase edhe më të mirë!

Uzina Mekanike e Naftës ne Patos kishte nder, nuk ishte aspak objekt, por qytet i vogël brenda qytetit. Uzina sot për ata që e kanë dashur shumë këtë vend, ka heshtur. Nuk lëshon më as zhurma, por në çdo pllakë betoni dhe tulle ka  kujtime, ndaluar, konservuar, mbetur, sot në tempull laik pa shenja feje, por me simbolin e nderit! 

Zhurma e tornove apo e mjeteve që përpunonin hekurin si gratë e mira burrat e mbaruar, nuk ishte veç tingull teknik, ishte muzikë industriale që i jepte ritëm qytezës së vogël me ëndrra prej arti, kulture dhe njeriu.

Uzina Mekanike e Naftës në Patos nuk ishte thjesht vend pune. Ishte vendi ku gratë vishnin uniforma pune dhe burrat mbanin në dorë veglat shpatat e një kohe që nuk kishte nevojë për heronj, por për njerëz të zakonshëm që nuk dorëzoheshin përballë punës.

Tani uzina hesht. Rrënojat kanë zë tjetër, kanë zërin e mungesës. Aty ku dikur frynte era e naftës, sot fryn era e harresës.

Uzina Mekanike e Naftës në Patos nuk ishte thjeshtë e vetëm kompleks industrial. Ishte zemra e një qyteti që ecte me nxitimin e prodhimit si ritëm i trupit.  

Hapësirë ku njerëzit nuk punonin vetëm për bukën, por edhe për dinjitetin, për krenarinë e të qenit pjesë e diçkaje që lëvizte kombin apo Shqipërinë.

Sot? 

Uzina që dikur kishte zë tani flet me heshtje. Në vend të makinerive dëgjoja zogj dhe kujtime që shkundin pluhurin nga dritaret e thyera. Dëgjoja asgjë! Këtu kish mbetur vetëm historia, e papastruar, e palyer, por e heshtur dhe jo e shitur edhe aq për skrap! Emisioni Amarcord shfaqet në Report Tv çdo të diel në orën 21:00.

Me pathos ose jo, quhet Patos.

Prill 2025.

SI.E./K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?