Opinion

Eljan Tanini: Për Atdheun e mbetur mall jo nga ai i bardhi dhe për Arben Imerin që dikur banonte në Tiranë!

21 Prill, 19:21| Përditesimi: 21 Prill, 22:47

  • Share

Të premten që lamë pas në Esencë kisha të ftuar Arben Imerin. Beni tashmë jeton në Itali me familjen dhe punon atë që ditë të bëjë më mirë. Nga emisioni por edhe nga libri i tij “Unë banoja në Tiranë”, më bënë përshtypje një sërë faktesh filmike (e kam fjalën për tregimet e tij që janë për filma me metrazh të shkurtër) të cilat nuk do të kishin fatin të përsëriteshin më. Pse? Sepse jeta jonë jetohet me ritme galopante dhe ne nuk jemi më ata që kemi qenë mes varfërisë dhe sakrificave për një mënyrë jetese më të mirë!

Kjo intervistë që u shfaq në ekran nuk është një kronikë që hap shijen e keqe në kryeqytet. Është një dokument emocional. Një letër dashurie për një qytet që s’është më. Për një Tiranë që nuk ishte vetëm vend, por edhe ndjenjë. Një Tiranë ku fëmijët rriteshin me shishe qumështi dhe frikën e mungesës. Ku malli ishte për çdo gjë që nuk ishte aty.

Dhe gjithçka që ishte, dukej si përkohshme, sepse gjithmonë për mua ka diçka thellësisht të çuditshme kur dëgjon dikë që thotë “kam ikur me anijen Legend Panama”. Si të ishte emër filmi ose ndonjë markë cigaresh që shitej vetëm në kioskat që kishin kontakte me botën matanë kufirit. Në fakt, ishte një kapitull i heshtur i një eksodi të pakthyeshëm ku barkat e ngjeshura me trupa e shpresa, lundronin drejt një bote që e njihnim vetëm prej librit “Tragjedia Amerikane”, një libër që s’mund të lexohej.

Arben Imeri në librin e tij “Unë banoja në Tiranë” nuk tregon thjesht histori, ai rrëfen një kohë, një gjendje emocionale. Ai rrëfen atë brez që iku pa kthyer kokën, dhe që ende s’e ka gjetur vetën e pare, të dytë apo të tretë. Ai rrëfen vajzën e qethur nga i vëllai e që nuk ishte aspak kurvë, djemtë që kishin më shumë ëndrra se rroga, shkallët ku ndodhnin dashuritë më të ngatërruara, dhe kafet pa filxhan por me shumë fabul me shije mullage pranë Bar Sahatit për të shtyrë pijen e dashur nga varfëria.

Në të vërtetë, gjithë kjo intervistë është një rrëfim për një qytet që nuk është më, për një brez që iku pa kthyer kokën, për një mall që nuk përkthehet dot me“diasporë”. Është si një simfoni kujtimesh që përzihen me dhembje, të qeshura të mbytura, batuta që mbajnë erë ponç dhe fërrnet dhe një dashuri që ikte me vrap sapo i thoje “a ka mundësi një minutë?”

Tirana e rrëfyer nga Arben Imeri nuk është aspak një qytet, është një karakter më vete: herë i butë e poetik, herë i egër e paragjykues, herë i çmendur si Ariani që noton nëpër liqen, herë snob si Maks Velo, herë i qetë si një kitarist pa bukë, por me gjak për të shitur dhe njëherësh ndjekës mode. Është një vend ku për të puthur duhej të provoje zhgënjimin, për të marrë frymë duhej të arratiseshe, dhe për të pasur një kujtim, duhej ta harroje Atdheun.

Kjo nuk ishte një intervistë. Është një dokument emocional. Një arkiv personal që në të vërtetë është i përbashkët. Një mësim se si absurdi dhe poezia kanë jetuar bashkë, kokë më kokë, si dy bashkëfajtorë në një kohë të varfër por të thellë.

Dhe Gabriela e Ambasadës Italiane, ah Gabriela, ajo italiania që “do të linte vetëm pemët në këtë vend” ndoshta ishte më shumë se një funksionare ambasade. Ajo ishte dashuria jonë platonike me Perëndimin. Ajo ishte prova që dikush mund të të trajtojë si njeri, pa të kërkuar dëftesën morale të lagjes. Ajo ishte ajo që shihej nga ekrani fshehurazi si donim të ishim ne në gjendjen tone njerëzore.

Në fund të ditës, kjo histori e nostalgjisë shqiptare me shumë Tiranë brenda nuk ka fund. Sepse ende sot kemi nga pak Arben Imer brenda vetes me shije Tirane të humbur. Ende ikim, ndoshta jo më me anije, por me mendje, me shpirt, me pasaporta biometrike dhe status emigranti online. Por ikim dhe ende kërkojmë dritë. Ende kërkojmë fabulën e jetës. Por pa e kuptuar, ndoshta kemi humbur Atdheun që pa qenë më vend, ka mbetur mall jo nga ai i bardhi!

SI.E./S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?