Gazetarja e njohur e televizionit amerikan, Ellen DeGeneres, ka konfirmuar se është larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është vendosur në Mbretërinë e Bashkuar.
Ajo thotë se zhvendosja e saj në Britani ka ardhur për shkak të rizgjedhjes së Donald Trump si President i SHBA.
Bashkë me bashkëshorten e saj, aktoren Portia de Rossi, DeGeneres është shpërngulur në Angli përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Fillimisht, çifti kishte menduar të blinte një shtëpi për qëndrim të përkohshëm, por planet ndryshuan.
“Erdhëm këtu një ditë para zgjedhjeve dhe kur u zgjuam, morëm mesazhe nga miqtë tanë me emoji që qanin. Atëherë kuptuam se ai [Trump] ishte rizgjedhur, dhe thamë ‘do të qëndrojmë këtu”, u shpreh ajo gjatë një paraqitjeje në teatrin Everyman në qytetin Cheltenham, sipas raportimeve të BBC.
Deklaratat e DeGeneres vijnë pak ditë pasi ajo shprehu mbështetje publike për prezantuesen amerikane Rosie O’Donnell, pas kërcënimeve të Trump për të revokuar nënshtetësinë e saj.
Në fjalën e saj para publikut britanik, DeGeneres nuk kurseu vlerësimet për jetesën në Britani të Madhe.
“Është absolutisht e mrekullueshme. Nuk jemi mësuar të shohim këtë lloj bukurie, fshatrat, qytetet, arkitektura, gjithçka është e bukur dhe jeta është më e thjeshtë. Është pastër. Këtu gjithçka është më mire, mënyra si trajtohen kafshët, sjellja e njerëzve. Thjesht e dua këtë vend,” shtoi 67-vjeçarja.
Aktivistja e komunitetit LGBTQ deklaroi gjithashtu se nëse në SHBA do të revokohej ligjshmëria e martesave të të njëjtit seks, ajo dhe De Rossi do të martoheshin sërish në Britani.
“Të jesh homoseksual në Hollywood është ende problem. Njerëzit kanë ende frikë”, tha ajo.
Komente
