Kopertina e fundit e javores amerikane Time është pa fjalë. Nuk ka nevojë për to, sepse imazhi flet vetë: një fotomontazh ku Elon Musk shfaqet i ulur pas tavolinës në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Mesazhi është i qartë: presidenti i vërtetë i Shteteve të Bashkuara është ai – pronari i Tesla, SpaceX dhe rrjetit social X, njeriu më i pasur në botë. Një perceptim që e ndajnë shumë, duke parë fluksin e tij të deklaratave publike dhe fushatave dixhitale, përveç nismave që ka ndërmarrë si ministër i Efikasitetit Qeveritar, një post i ri për të cilin është emëruar nga Trump.
Sipas një opinioni të përhapur, gjithë kjo vëmendje rreth Musk (madje qarkullon edhe një anekdotë se Elon është presidenti, ndërsa Donald është First Lady) ka filluar ta shqetësojë kreun e Shtëpisë së Bardhë, i cili është xheloz për përkrahësin dhe krahun e tij të djathtë.
“Janë dy narcistë,” thonë disa komentatorë në Uashington, “dhe në fund do të zihen.” Prandaj, dje, sapo patën mundësinë, gazetarët e pyetën presidentin nëse kishte një reagim për kopertinën e Time.
“Jo,” u përgjigj prerë Trump. Dhe shtoi: “Thjesht më çudit fakti që ajo gazetë ende ekziston.”
Në vend që të nxiste përçarje mes Trump dhe Musk, kopertina e Time është shndërruar kështu në sulmin e radhës të Trump ndaj mediave – ose më saktë, ndaj atyre që ai me përbuzje i quan “mediat liberale”.
Lufta e tij kundër shtypit të shkruar dhe rrjeteve televizive, të cilat ai i konsideron të njëanshme ndaj tij dhe me pikëpamje radikale kundër vlerave të lëvizjes MAGA (Make America Great Again), ka nisur prej kohësh. Ai i ka pagëzuar me termin “mediat e lajmeve të rreme” (fake news media). Dhe që kur është kthyer në pushtet, e ka intensifikuar këtë betejë.
Sulmet e tjera ndaj mediave
Vetëm disa ditë më parë, presidenti deklaroi se emisioni investigativ 60 Minutes në rrjetin CBS News “duhet të mbyllet”. Më parë, ai kishte sulmuar ABC News, një tjetër nga tre rrjetet më të mëdha televizive në SHBA, të cilat për një kohë të gjatë janë konsideruar shembuj të gazetarisë cilësore dhe të paanshme.
Të premten, ai kishte në shënjestër Eugene Robinson, një opinionist i Washington Post, i cili kishte shkruar se senatorët republikanë “duhet të ndihen të turpëruar” për moskundërshtimin e masave dhe politikave të debatueshme të shpallura nga Shtëpia e Bardhë.
“The Post duhet ta pushojë nga puna,” kishte shpërthyer Trump.
Fjalë që, pas pjesëmarrjes së Jeff Bezos – pronarit të gazetës Washington Post dhe njeriut të dytë më të pasur në botë – në ceremoninë e inaugurimit të Trump II, mund të kenë shkaktuar shqetësim te gazetari në fjalë dhe kolegët e tij. Sidomos duke marrë parasysh se gjatë fushatës elektorale, Bezos ndaloi që gazeta të mbështeste zyrtarisht kandidaten demokrate Kamala Harris.
Më pas, Trump ka urdhëruar të gjitha departamentet qeveritare të anulojnë abonimin e tyre te Politico, një faqe lajmesh që shpesh ka qenë kritike ndaj tij. Dhe tani, ai bën sikur çuditet që Time vazhdon të botohet.
Trump kundër mediave: “Presidenti në luftë me gazetat”
Kështu e përmbledh Financial Times konfliktin mes Trump dhe shtypit amerikan, duke e parë situatën nga ana tjetër e Atlantikut.
Por, për momentin, mediat më prestigjioze amerikane nuk po lëkunden, madje e sfidojnë hapur presidentin.
“A do ta zemërojë kopertina e Time Donald Trump?” – titullon me ironi New York Times, gazeta më e rëndësishme në SHBA./ La Repubblca
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)