Elon Musk dhe Donald Trump

Bota

Elon Musk largohet nga Trump: I zhgënjyer nga ligji i buxhetit

29 Maj, 07:41| Përditesimi: 29 Maj, 07:46

  • Share

Elon Musk i thotë lamtumirë administratës Trump. Këtë e ka bërë të ditur vetë miliarderi përmes një postimi në rrjetin e tij social, X, ku falënderon “për mundësinë për të reduktuar shpërdorimet” në krye të Doge, departamentit që Trump kishte krijuar posaçërisht për të, me mandatin për të shkurtuar shpenzimet federale. Edhe Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar ndarjen, duke sqaruar se procedurat e “off boarding”, largimit nga detyra, do të nisin që sot.

Njoftimi vjen vetëm pak orë pas kritikave të vetë Musk ndaj “ligjit të madh dhe të bukur” për uljen e taksave të promovuar nga Donald Trump. Miliarderi, pronar i X, SpaceX dhe Tesla, si dhe një mbështetës i madh i presidentit, e ka kritikuar publikisht ligjin buxhetor të presidentit të Shteteve të Bashkuara. Në një intervistë për CBS, Musk është shprehur se është “i zhgënjyer që sheh një shpenzim masiv në projektligj, që rrit deficitin buxhetor dhe minon punën që po bën ekipi i Doge”. Bëhet fjalë pikërisht për departamentin për efikasitetin qeveritar që Musk ka drejtuar dhe me të cilin ka nisur një valë shkurtime shpenzimesh publike, duke çuar në mbylljen e agjencive, pezullimin e projekteve të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkarkimin e dhjetëra mijëra punonjësve federalë.

Që në prill, miliarderi kishte njoftuar tërheqjen nga administrata dhe synimin për të ndjekur më nga afër Teslën, kompaninë e makinave elektrike që ndodhet në krizë për shkak të pozicioneve ekstreme të djathta që Musk ka promovuar publikisht. Tesla ka raportuar një rënie prej 71 për qind të fitimeve në tremujorin e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ditët e fundit, donatori më i madh i fushatës së Trump ka shpallur vendimin për të ngrirë donacionet — një tjetër sinjal distancimi nga Partia Republikane.

Kritika publike shënon një risi në marrëdhëniet mes tij dhe Trump, pasi prek një nga aktet që presidenti e ka për zemër: “Big Beautiful Bill Act”, i miratuar me shumicë të ngushtë javën e kaluar nga Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga republikanët, dhe në pritje të miratimit nga Senati. Ligji parashikon, ndër pikat më të debatueshme, një ulje të madhe taksash për miliarderët dhe korporatat, si dhe fundin e politikave ambientaliste të Joe Biden.

Plani përfshin një shkurtim prej afro 1 trilion dollarësh në përfitimet që i dedikohen shtresave më të dobëta të shoqërisë, si dhe uljen e ndihmës shëndetësore për miliona të varfër dhe të programeve të ndihmës ushqimore. “Mendoj — tha Musk për CBS, duke iu referuar rrezikut të deficitit — se një ligj mund të jetë i madh ose mund të jetë i bukur, por nuk e di nëse mund të jetë të dyja njëkohësisht. Ky është opinioni im personal.” “Ne po negociojmë për atë projektligj — u kundërpërgjigj Trump — dhe nuk jam i kënaqur me disa aspekte, por jam i entuziazmuar për disa të tjera. Kështu funksionojnë gjërat.”/La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?