Miliarderi Elon Musk mori pjesë në bisedën telefonike mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump të mërkurën pas fitores së republikanit në zgjedhjet presidenciale në SHBA, tha një zyrtar i presidencës ukrainase për AFP sot.
"Unë mund ta konfirmoj këtë," tha zyrtari, i cili kërkoi të mos përmendet, kur u pyet për një raport nga uebsajti amerikan i lajmeve Axios.
Një tjetër burim i rangut të lartë ukrainas i tha AFP se "Donald Trump ia dha telefonin Elon Musk, pasi ata ishin diku bashkë. Presidenti (ukrainas) e falënderoi atë për Starlinks (sistemet e lidhjeve satelitore që Musk i ofron Ukrainës, p.s.)", thotë burimi.
"Ata folën për një kohë. Megjithatë biseda kryesore ishte sigurisht me Trump," shtoi ai.
Sipas të njëjtit burim, Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky "nuk diskutuan asgjë thelbësore, ishte një bisedë për të përshëndetur njëri-tjetrin".
Presidenti ukrainas e quajti këtë bisedë "të shkëlqyer".
Elon Musk luajti një rol të paprecedentë në fushatën zgjedhore të Donald Trump duke shpenzuar më shumë se 110 milionë dollarë nga pasuria e tij për të zgjedhur këtë të fundit.
Ai gjithashtu organizoi një sërë takimesh gjatë fushatës zgjedhore në favor të kandidatit republikan në shtetin ambivalent të Pensilvanisë.
Miliarderi pritet t'i bashkohet administratës së ardhshme të Donald Trump, por roli i tij i saktë nuk është zbuluar.
Presidenti i zgjedhur, i cili është shumë kritik ndaj miliarda dollarëve të lëshuar për Ukrainën, ka premtuar se do ta zgjidhë këtë konflikt edhe para inaugurimit të tij, pa shpjeguar kurrë se si.