Manjati Elon Musk, ka nxitur spekulime pas ndryshimit të emrit të tij në rrjetin social X, duke e bërë “Kekius Maximus”.
Musk, njëherësh mbështetës i madh i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump nuk ka dhënë ndonjë sqarim pse e ka ndryshuar emrin dhe fotografinë e profilit, në të cilën është tani karakteri Bretkosa Pepe - një imazh humoristik, që është përdorur nga grupet e ekstremit të djathtë.
Ky hap ka aktivizuar botën e kriptovalutave, pasi vlera e valutës memecoin - valutë digjitale e inspiruar nga imazhet e tilla humoristike në internet - që e ka emrin Bretkosa Pepe, ka shkuar menjëherë në qiell.
Musk ka ndikuar në vlerën e kriptovalutave edhe në të kaluarën, përmes komenteve që ka bërë në rrjetet sociale, mirëpo tani nuk dihet ende se cili është qëllimi i tij.
“Kekius” duket se është latinizim i fjalës “kek” që nënkupton “qeshje me zë të lartë” dhe e cila është popullarizuar nga adhuruesit e lojrave online.
“Kek” është edhe emri i zotit egjiptian të errësirës, dhe që shpesh përshkruhet me kokën e bretkosës, shkruan BBC.
Fotoja e re e profilit të Musk në X, tanimë është bretkosa Pepe, e veshur me rroba ushtarake dhe një kontroller lojërash.