Sport

VIDEO/ Elseid Hysaj para Serbisë: Mos ngatërrojmë sportin me politikën, rival direkt! Laçi: Kombëtares s'i mungon zemra, tifozët 'arma' jonë

2 Qershor, 12:23| Përditesimi: 2 Qershor, 16:22

  • Share

TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur grumbullimin para ndeshjes me Serbinë, e cila luhet në "Arenën Kombëtare" të Tiranës më 7 qershor në orën 20:45. Përballja vlen për Grupin K kualifikues në Kupën e Botës 2026 dhe për këtë duel është e pashmangshme mos mpleksen mes vetes anët historike mes dy popujve.

Këtë të hënë në "Shtëpinë e Futbollit" në kryeqytet, Elseid Hysaj dhe Qazim Laçi folën për mediet, me theksin që ishte ndarja e anës politike nga ajo sportive.

Mbrojtësi i Lazios tha se Serbia është rivali ynë, andaj tri pikë duhen në përballjen e fundjavës. Hysaj ka qenë në fushë edhe gjatë ndeshjes Serbi - Shqipëri në 14 tetorin e 2014, kur ekipi ynë pësoi dhunën verbale dhe fizike të tifozëve serb në Beograd. Ai është i vetmi futbollist nga ai takim që vijon të jetë i grumbulluar me ekipin.

"Si duhet ta përjetojmë këtë ndeshje me Serbinë, duke futur edhe historinë?

Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pasi Serbia është rivali direkt yni. Marrëdhëniet mes vendeve nuk na takojnë ne futbollistëve, ka kush merret për këto. Në duhet të mendojmë vetëm për atë që ndodh në fushë dhe ato që na takojnë.

Roli juaj dhe përvoja në aspektin psikologjik?

Gjithë djemtë dinë që sfida vlen në fushë dhe jashtë saj. Shumë tifozë mezi e presin takimin. Kam folur me disa lojtarë dhe i kam kërkuar që të bëjnë më të mirën në fushë.

Presioni te lojtarët?

Ky presion vlen për ne që të zbresim në fushë me forcë dhe kurajo. Duhet ta dimë që në këto ndeshje futbolli duhet të futemi me besim.

Ngjyrat e futbollit dhe ana politike?

Ndeshja e 2014 në Serbi nuk është imazh për futbollin. Kam qenë në fushë atë mbrëmje. Të shtunë duhet të jemi të qetë dhe tri pikët do bëjnë krenar vendin dhe kombin, na duhet ta fitojmë.

Ana juaj fizike pas fundit të kampionateve?

U riktheva nga një dëmtim, ndihem shumë mirë. Të gjithë lojtarët janë mirë, i kam parë në stërvitje dhe në fushë do luajmë me zemër dhe shpirt. Do kemi tifozeri të zjarrtë, por ne në fushë na duhet qetësi.

Udhëzim të veçantë nga trajneri për këtë përballje?

Ai na ka dhënë qetësi, që mos e marrim këtë përballje me presion. Serbia ka lojtarë të fortë, luajnë në Serie A dhe në Evropë. Ata e dinë për ne që mund të fitojmë.

Llogaritë për tri pikët kundër Serbisë?

Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, por kjo është ndeshje direkte dhe na duhet diçka më shumë se ata në fund të kualifikueseve. Anglia është shumë e fortë dhe ne na mbetet Serbia që të fitojmë ndeshjen", tha Hysaj.

Qazim Laçi, mesfushori luftarak ka thënë se kuqezinjve nuk i mungon zemra në fushë.

"Serbia më e favorizuar në bazë të koeficientëve - Kemi një ndeshje të fortë dhe e luajmë në shtëpi. Nuk ka asnjë të favorizuar, besoj se jemi ekipe të barabarta. Ne do futemi në fushë për tri pikët dhe mos ndikohemi nga emocionet e tifozëve. Ne do japim diçka më shumë në fushë.

Tifozët në tribuna - Do jenë gjithmonë pranë nesh, si gjithmonë. Tifozët tanë nuk kanë bërë asnjëherë trazira dhe besoj do jenë korrekt, na ndihmojnë në stadium.

Aspekti fizik pas fundit të sezonit - Po përgatitemi mirë fizikisht dhe mentalisht, kjo e dyta do jetë e rëndësishme. Do tregojmë një mentalitet të mirë, sepse trupi reagon edhe më mirë.

Çfarë duhet të bëjmë diçka më shumë se rivalët - Forca jonë është se luajmë përballë tifozëve tanë. Të futemi në fushë me mendimin për të marrë tri pikët dhe të lëmë emocionet jashtë. Bisedat që kemi bërë me trajnerin dhe udhëzimet t'i zbatojmë në fushë.

Duhet të merremi vetëm me aspektin sportiv dhe më mirë që luajmë në shtëpi me tifozët tanë në krah. Tri pikë na çojnë një hap më pranë Kupës së Botës.

Sa zemër duhet në fushë për këtë ndeshje? Nuk besoj se këtij ekipi i mungon zemra dhe e kemi treguar gjithmonë se kemi mentalitet dhe zemër për tri pikë.

Nënvlerësimi për Letoninë - Nuk ka ndeshje të lehta. Të kemi në mendje se luajmë dy ndeshje. Një fitore me Serbinë duhet të lidhet me një tjetër në Letoni.

Këshilla nga Hysaj? Kemi folur (qesh). Le ta thotë Hysaj. Na ka ndihmuar nga aspekti psikologjik sesi ta mendojmë dhe fitojmë këtë ndeshje", tha Laçi.

Stërvitja e parë e Kombëtares do zhvillohet pasditen e kësaj të hënë, duke nisur nga ora 17:30 në "Shtëpinë e Futbollit".

S.Dh/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • dori: 02/06/2025 13:51

    Bravo mos ngatërroni sportin me politikën por jam shumë i bindur që do të ketë incidente të rënda si këtu ashtu dhe në Beograd....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?