TIRANË- Ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Roshi është zyrtarisht i pandehur. Roshi u paraqit sot në SPAK bashkë me avokatin ku iu komunikua akuza “shpërdorim detyre” lidhur me një kallëzim që KLSH kishte bërë ndaj tij për parregullsi me tenderat në Bashkinë e Kavajës.
Vetë Roshi preferoi të mos bëjë asnjë koment për mediat, ndërsa avokati i tij tha se do njihen me materialet dhe në i vijim do paraqesin pretendimet e tyre.
“Iu komunikua akuza për shpërdorim detyre për pjesën e tenderave që erdhi nga gjykata e Durrësit. Nuk ka asnjë rrethanë tjetër, do njihemi me materialet dhe do paraqesim pretendimet tona”, tha avokati Andi Skënderi.
Ish-kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi u kallëzua 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës nga KLSH në shtator të vitit 2015, ku Rroshi dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.
Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Në dy raste, KLSH e akuzoi bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët. Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës. Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.
Nga ana tjetër kujtojmë që më 17 maj SPAK i sekuestroi celularin Roshit dhe ushtroi kontrolle personale nën dyshimin për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit, teksa bënte fushatë për kushëririn e tij Elton Roshi në Kavajë, që kandidonte për PD-ADSHM-në e Sali Berishës.
Komente
