Ema Andrea, emigracioni përmes lojës teatrale: Të reflektojmë! Në mentalitetin ‘e mbrujtur’ nga urrejtja, çdo dhunues a diktator mund ta çoj njerëzimin kah e keqja!

11 Janar, 16:05| Përditesimi: 11 Janar, 16:16

  • Share

Me një retorikë që tingëllon ripetitive, ku toka, atdheu duket ‘shterpë’, e s’mund të hedhësh në të asnjë farë shprese për të ardhmen, në skenën e Teatrit Eksperimental këtë mesjavë nis të flitet përmes teatrit për emigracionin...

“Është një përpjekje që të jap kontributin tim, që të reflektojmë më shumë si shoqëri, për të qenë më afër të bukurës. Pasi po shkojmë drejt asaj ku gjerat janë të lehta dhe njerëzit kanë frikë të mbajnë përgjegjësi. Ndaj,uroj që përmes fjalëve tingujve, lëvizjeve, të nxitet reflektim, në këtë vënie ku mund të shihet edhe Otranto e madje  të gjendet edhe zhgënjimi personal”, shprehet regjisorja Ema Andrea.

Andreas Flourakis e shkroi pjesën dramatike për krizën ekonomike në Greqinë e mbi një dekade më parë, por “Dua një vend” me regjinë e Ema Andreas e përkthim të Sokol Çungës, bëhet përmes fjalës, e historive shqiptare të ndërthurura, e afërt për publikun.

“Pjesa e mer motivin nga Greqia e vitit 2008 e pas, ka situata paralele si ajo e largimit të nxënësve, studentëve, pastaj motivet janë të ndryshme”, shprehet përkthyesi Sokol Çunga.

“Unë në përgjithësi zgjedh tekste me të cilat publiku mund të identifikohet, nuk më pëlqen të kem kahje dhe mesazhe, kështu që gjithçka ndodh lejon për reflektim, për rikujtesë të asaj çfarë na ka ndodhur të paktën në Shqipëri, që na periudha e komunizmit , nga pjesa e dëshirës së njeriut për të ikur, kapriços njerëzore, ndonjëherë edhe udhëtimit njerëzor që ka kërkesat që nga më minimalet deri tek ato politiket”, thotë më tej artistja.

Në skenografinë minimaliste të Ergys Krisikos, Andrea udhëton në dekada e sjell histori emigracioni, nga komunizmi, në fillim vitet ’90 tek hapja e ambasadave, “te plumbat qorrë që binin shi” në Shqipërinë e 97-ës e deri në ditët e sotme...

“Janë histori që i ka propozuar Ema, ka dy aktorë që tregojnë në vet të parë histori personale të tyre, të tjerat janë historitë e asaj periudhe emigrimi qoftë në periudhën e komunizmit, atë të ambasadave”, shton Çunga.

“Janë letrat e ’91-shit, të atyre që kanë ikur nga ambasadat drejt portit të Durrësit dhe lëshonin letra pa ditur se kush do t’i merrte”, thotë Andrea.

Efektet zanore të Vali Kuqit bëjnë që në fjalë të kumbojë dhimbja për të tashmen, e frika për të panjohurën në një tjetër vend.

Turma bëhet një, dhe aktorët sjellin edhe përmes gjuhës së trupit në koreografinë e Mariel Brahimllarit, vizionimin e një vendi të ëndërruar, shqetësimet dhe rrezikun e një udhëtimi që mund t’u sjell edhe vdekjen, apo përballjen me një tokë të re, që mund të ndodhë të jetë edhe më “e hidhur” se toka mëmë...

“Në fakt ata  nuk ikin kurrë dhe vendi i ri që kanë zgjedhur të jetojnë u del më i tmerrshëm se i pari, se në fakt vendin e bëjnë njerëzit dhe varet se si ti e ndërton çfarë kërkesash ke dhe se si ti investon në atë vend”, thotë Andrea.

Ndonëse e përshtatur në kontekst shqiptar, loja nuk kufizohet në gjeografi. Njësoj si plaga e emigracionit që grishet nga varfëria, e tashmë dhe nga Lufta.

“Jam përpjekur edhe të largohem nga hapësira, sepse besoj se duhet edhe të kemi vëmendje ndaj qenies njerëzore pavarësisht gjeografisë, duke shkuar tek ata njerëz të cilët janë të detyruar të largohen nga vendi i tyre për shkak të luftërave në vendin e tyre”, shton regjisorja.

Me pjesën e Flourakis, Andrea vendos sërish theksin tek shqetësimi i saj për artin e artistët...

“Mua nuk më dhëmb largimi i artistëve, mua më dhëmb keqkuptimi me dashje që u bëhet artit dhe artistëve, manipulohet figura e tyre, luhet me ta lehtësisht. Në vende si i yni ku nuk vlerësohet arti, sepse artisti është me dashje i keqkuptuar, artistit i duhet të vuajë nga ajo që fiton , e nga kjo raporti me publikun bëhet gjithnjë e më delikat, me më pak ekzigjenca”, shprehet më tej.

Por vendin e bëjnë idetë, njerëzit, fton për reflektim në ushqimin e humanizmit e të atdhedashurisë që në formësim...

“Një nga udhëtimet që më pëlqen shumë në shfaqje është loja e fëmijërisë, udhëtim në kohë, ku edhe janë harmonizuar disa nga ato mjetet që kanë formësuar mentalitetin, urrejtja, ashpërsia... Një realitet ku mundet që çdo dhunues diktator ta çoj njerëzimin kah e keqja”, thotë Andrea.

“Dua një vend” vijon të shfaqet nga kjo e premte deri të dielën.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?